e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Partizani, 15 milionë lekë premio nëse fiton 3 ndeshjet e radhës

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Partizani, 15 milionë lekë premio nëse fiton 3 ndeshjet e radhës

15 milionë lekë për 9 pikë në tri ndeshjet e radhës. Kjo mësohet se është premio që presidenti i Partizanit, Gazmend Demi, ka vendosur për lojtarët e tij në prag të ndeshjes ndaj Kukësit, e cila do të luhet sot në stadiumin "Qemal Stafa", në kryeqytet.partizani Numri një i të kuqve kishte vendosur një shpërblim prej 10 mijë eurosh për kualifikimin në turin tjetër të Kupës së Shqipërisë, por futbollistët nuk kanë arritur ta bëjnë realitet një gjë të tillë, duke mos marrë as paratë.

Kështu që Demi ka menduar që pothuajse të njëjtën shumë ta vendosë edhe një herë tjetër në dispozicion të lojtarëve të tij, por këtë herë për ndeshjet e kampionatit. Përveç ndeshjes së sotme ndaj Kukësit, Partizani do të luajë javën e ardhshme në transfertë ndaj Tërbunit, në një sfidë, e cila në letër konsiderohet e lehtë, por në fushë mund të mos rezultojë e tillë.

Gjithsesi, "qershia mbi tortë" do të jetë derbi i kryeqytetit ndaj Tiranës, që sipas kalendarit luhet në datën 5 mars. Por, për të arritur deri aty të kuqtë duhet që më parë të triumfojnë në dy takimet e radhës, me Kukësin dhe Tërbunin dhe më pas të mendojnë për derbin.

Situata - Shkëputja me katër pikë nga vendi i parë nuk është pritur mirë nga drejtuesit e kuq, megjithatë ata kanë vendosur që t'i qëndrojnë afër skuadrës dhe ta motivojnë atë. Duke parë kundërshtarët, nëntë pikë nuk janë shumë të lehta për t'u marrë, por ato janë të domosdoshme, në mënyrë që të shpresohet edhe te ndonjë hap fals i Skënderbeut.

Të kuqtë nuk janë dorëzuar sa i takon objektivit për titull dhe një gjë të tillë trajneri Agostineli e ka të qartë. Italiani është vënë në qendër të kritikave dhe tri fitore rresht, përfshi edhe atë në derbi, do t'i bënin mirë ekipit dhe stafit teknik për të rifituar qetësinë.