e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Paraburgoset Ramush Haradinaj

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Paraburgoset Ramush Haradinaj
Gjykata e Hagës ka vendosur që të rigjykoj procesin “Haradinaj”. Vendimi u mor të mërkurën pas ankesës së Prokurorisë lidhur me vendimin e 3 prillit të vitit 2008 për lirimin e Ramush Haradinajt. Në fakt, Dhoma e Apelit vendosi paraburgimin e Haradinajt, Brahimajt e Balajt pasi kishin munguar dëshmitë e disa dëshmitarëve bazë dhe ka anuluar pjesërisht vendimin e Gjykatës për pafajësi ndaj Ramush Haradinajt, Idriz Balajt dhe Lahi Brahimajt.

Apeli pranoi ankesën e prokurorisë se nuk i ishte dhënë kohë e mjaftueshme për të shfrytëzuar të gjitha rrugët në mënyrë që të paraqiteshin dy dëshmitarë kyçë të rastit. Apeli po ashtu ka arritur në përfundimin se Gjykata ka dështuar në marrjen e masave të nevojshme për të siguruar dëshmitë e disa prej dëshmitarëve.

Dhoma e Apelit ka hedhur poshtë apelin e prokurorisë lidhur me akuzat e tjera. Gjykata ka vendosur paraburgimin e Ramush Haradinajt, Lah Brahimajt dhe Idriz Balajt deri në një vendim të ardhshëm. Ndërkohë, koordinatori i Ekipit të Mbrojtjes në Procesin e Ramush Haradinaj, Michael O'Reilly, përmes një komunikate për media, ka thënë se ekipi është i befasuar me vendimin e Dhomës së Apelit.

“Ekipi Mbrojtës i z. Haradinaj është jashtëzakonisht i befasuar me vendimin e sotëm, kjo është diçka që ne s’kemi mundur ta parashohim, posaçërisht duke pasur parasysh lirimin e tij të pamëdyshje dhe unanim të para dy viteve”, është shprehur O’Reilly. /Agjencitë