e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Hage, sot dita e gjykimit

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Hage, sot dita e gjykimit
Kur gjykatësi japonez Hisashi Owada do të fillojë leximin e rezymesë së opinionit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën, të enjten në ora 15, në Pallatin e Paqes në Hagë, Prishtina dhe Beogradi do të bëhen gati edhe për një betejë mes tyre. Gjykata e Botës, sipas vlerësimeve të deritashme, nuk pritet të zgjidhë kontestin mes Kosovës dhe Serbisë për pavarësinë.

Shumë politikanë, juristë e analistë kanë paralajmëruar se Prishtina dhe Beogradi do të vazhdojnë të mbeten larg njëra-tjetrës pavarësisht se çka do të thonë gjyqtarët ndërkombëtarë. Zyrtarë të dyja vendeve do të jenë të pranishëm në vendin e ngjarjes për të dëgjuar verdiktin e Hagës, përderisa disa prej tyre kanë udhëtuar nëpër botë për të shpërndarë interpretimin e tyre pas shpalljes së mendimit.

Një ditë para shpalljes së këtij opinioni atmosfera e pritjes ka tendosur të dyja palët. Autoritetet serbe kanë akuzuar palën kosovare se do të festojë rrejshëm në ditën kur do të prezantohet opinioni, ndërsa pala kosovare ka thënë se opinioni do të jetë i qartë dhe në favor të pavarësisë. Në Beograd situata duket të jetë pak më dramatike. Mediat serbe kanë njoftuar se vendi është në panik. Në kishat serbe do të ketë lutje dhe do të bien kambanat. Po ashtu është alarmuar se Shtetet e Bashkuara po përgatisin 40 njohje për Kosovën.

Spekulimet për mospajtimet që kanë gjykatësit për "lëndën" e Kosovës po ashtu nuk kanë pushuar. Si do që të jetë, gjykatësit në Hagë të enjten do t'i japin fundit procesit që kishte nisur dy vjet pas miratimit të një rezolute në Asamblenë e Përgjithshme të OKB'së.

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu dhe Kryeministri Hashim Thaçi kanë deklaruar se Gjykata nuk mund të dalë kundër lirisë së një populli.

Thaçi do të jetë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kur Gjykata të shpallë opinionin.

"Opinioni i GJND'së do të jetë në përputhje me vullnetin e qytetarëve të Kosovës për shtet të pavarur dhe sovran. Opinioni do të respektojë vendimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për shpalljen e Kosovës shtet", ka thënë Kryeministri Thaçi në një intervistë të publikuar të mërkurën në Express.

Ndërsa Presidenti i Serbisë Boris Tadic pret një mendim "fer" të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që do të respektojë "parimet e së drejtës ndërkombëtare që institucionet shqiptare në Kosovë nuk kanë të drejtë në ndarje nga Serbia të motivuar etnikisht".

"Nëse me mendimin e GJND'së do të vendosej parimi i ri, atëherë në gjithë botën do të ndodhnin procese të krijimit të shteteve të reja, që do të destabilizonin shumë rajone të botës", ka thënë Tadic. Iniciativa për të dërguar pavarësinë e Kosovës në GJND ishte prezantuar para Kombeve të Bashkuara në gusht të vitit 2008 nga Vuk Jeremic, Ministër i Jashtëm i Serbisë, në kuadër të planeve të këtij shteti për të minuar pavarësinë e Kosovës që ishte shpallur në shkurt të vitit 2008.

Edhe pse serbët pas konsultimeve me juristë ndërkombëtarë kishin kërkuar vetëm një mendim këshillëdhënës për pavarësinë që nuk është obligativ, vlerësohet se edhe ky mendim do të ketë ndikim për Kosovën. Deri më tani Kosova është njohur nga 69 shtete, përderisa është vlerësuar se procesi në GJND ka bllokuar njohjet. Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni ka thënë se pas shpalljes së mendimit, 35 njohje do të shtohen për Kosovën.

Për njohjet pas GJND'së ka folur Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Philip Gordon, i cili ka thënë se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe se në çdo rrethanë, njohjet e reja do te pasojnë. "SHBA'të mbesin te përkushtuara për të ndihmuar Kosovën në konsolidimin e shtetësisë dhe ne anëtarësimin e saj në strukturat veri-atlantike", ka thënë ai.