e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Paqe mes Shqiperise e Kosoves, FSHF udheton drejt Mitrovices

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Paqe mes Shqiperise e Kosoves, FSHF udheton drejt Mitrovices

Shkrihen akujt mes Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) dhe Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK). Pas disa muajsh ku palët dukeshin krejtësisht indiferente ndaj njëra-tjetrës, duke marrë edhe vendime në dukje “armiqësore” për sa u përket kombëtareve të futbollit, duket se ka mjaftuar takimi mes trajnerëve De Biazi dhe Bunjaku për të rikthyer harmoninë mes dy institucioneve. Konfirmimi ka ardhur pikërisht dje nga FSHF, pasi ky institucion ka bërë të ditur se një delegacion me drejtuesit më të lartë do të jetë sot i pranishëm në stadiumin “Adem Jashari” të Mitrovicës për të ndjekur takimin miqësor mes Kosovës dhe Turqisë.

Vendimi i FIFA-s për zhvillimin e miqësoreve të Kosovës, u prit mirë nga FSHF, por institucioni i futbollit shqiptar nuk mirëpriti lëvizjet e palës kosovare që kontaktoi menjëherë disa prej futbollistëve aktualë të kombëtares shqiptare të futbollit. Kalimi i Ujkanit dhe Sadikut në radhët e Kosovës për ndeshjen me Haitin solli një distancim të mëtejshëm të palëve, aq sa në atë ndeshje të parë historike, FSHF u përfaqësua nga sekretari i përgjithshëm, Ilir Shulku, dhe anëtari i KE-së, Arben Dervishaj, pasi presidenti Duka zgjodhi të ndiqte miqësoren e Shqipërisë ndaj Maltës. Dy palët mbajtën një qëndrim indiferent edhe në dy muajt e fundit, ndërsa me veprimet e kryera për kontaktimin e lojtarëve si nga përfaqësueset shqiptare, ashtu edhe nga ato kosovare, u pa qartë se si dy federatat po vepronin kundër njëra-tjetrës.

Për të zgjidhur gjithçka kanë menduar dy trajnerët e kombëtareve, Xhani De Biazi dhe Albert Bunjaku. Takimi i tyre para finales së Kupës së Shqipërisë shërbeu për të hedhur hapat e parë të një bashkëpunimi të ndërsjellë, që mund t’u hyjë në punë të dy kombëtareve. Dy trajnerët konfirmuan para mediave se ky bashkëpunim është si në të mirë të Shqipërisë për eliminatoret e Euro 2016, ashtu edhe të Kosovës për një të ardhme, kur ajo të mund të marrë pjesë në aktivitetet zyrtare. Ndaj takimi informal i trajnerëve, zhvilluar në një kafene të kryeqytetit, ka shërbyer për të rivendosur edhe një herë marrëdhëniet optimale mes dy federatave.

Prania e një delegacioni me drejtuesit më të lartë të FSHF-së në ndeshjen miqësore të Kosovës kundër Turqisë ishte rrjedhë e rivendosjes së marrëdhënieve mes palëve. Fraza “Futbolli shqiptar do të bëjë tifo për kombëtaren e Kosovës, të mërkurën në ndeshjen që ajo do të luajë kundër Turqisë”, e publikuar në faqen e internetit të FSHF-së, tregon më qartësisht se si ka ndryshuar situata. Delegacioni për këtë ndeshje do përbëhet nga presidenti Armand Duka dhe Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku, të cilët do të shfrytëzojnë këtë vizitë për të zhvilluar edhe një takim zyrtar me homologët kosovarë, presidentin Fadil Vokrri dhe Sekretarin e Përgjithshëm, Eroll Salihu. Njëkohësisht, në stadiumin e Mitrovicës do të jenë të pranishëm edhe trajnerët Xhani De Biazi dhe Foto Strakosha, të cilët interesohen për lojtarë të veçantë që veshin fanellën e Kosovës në këtë sfidë miqësore. De Biazi do të ndjekë Debatik Currin, por edhe Rexhepin e Përdedajn, ndërsa Strakosha pritet të ndjekë Bunjakun, Avdijajn e Zejnullahun, të cilët mund të luajnë në edicionin e ardhshëm në ndeshjet zyrtare të kombëtares shqiptare U-21.