e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

PD negociata me 25 parti, ofron formule te re bashkepunimi

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
PD negociata me 25 parti, ofron formule te re bashkepunimi
 Partia Demokratike ka arritur të marrë një rezultat të kënaqshëm negociatash me drejtuesit e partive të koalicionit dhe jo vetëm. Gjatë gjithë ditës së djeshme, sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Ridvan Bode, dhe eksperti për zgjedhjet, Oerd Bylykbashi, kanë zhvilluar takime me partitë aleate me qëllim firmosjen e një marrëveshjeje të përbashkët, që në parim bazohet në votat që secila prej tyre do të marrë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Bëhet fjalë për një formule të re brenda koalicionit ku votat që do të marrin si koalicion do të pjesëtohen më pas me votat që secila prej partive do të marrë dhe në varësi të tyre do të bëhet edhe ndarja e ofiqeve. Ndërsa debati tjetër që lidhet me përfshirjen e disa prej drejtuesve të partive në listat e PD-së do të zgjidhet vetëm përmes negociatave individuale që disa prej drejtuesve të forcave politike do të kenë me kryeministrin Berisha gjatë javës që vjen.

Në selinë e PD-së hyri dje kryetari i Lëvizjes së Legalitetit, Ekrem Spahia; Lufter Xhuveli i Partisë Agrare Ambientaliste; Adriatik Alimadhi i Ballit Kombëtar; kryetari i PDK-së, Nard Ndoka; kreu i Lëvizjes Shqipëria e Re, Edmond Vlashaj; kryetari i LDK-së, Nikollë Lesi; e deri te kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi; dhe ai i PR-së, Fatmir Mediu. Thuajse të gjithë drejtuesit e partive të koalicionit janë shprehur të kënaqur për bisedimet. Në fund të takimit, nënkryetari i PR-së, Neritan Alibali, ka deklaruar se PR-ja do të vijojë të jetë aleate me Partinë Demokratike. Edhe kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, është shprehur se platforma që ata kanë ofruar është e njëjtë me programin e PD-së.

Idirzi ka kërkuar gjithashtu që çështja çame të përfshihet në politikat qeveritare, ndërsa i ka mbetur idesë se në vend duhet një ministri për Diasporën. Në zyrat e selisë blu ka qenë dje edhe kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi, i cili është shprehur pas takimit se negociatat do të vijojnë edhe sot. Ndërsa kryetari LDK-së, Nikollë Lesi, deklaroi dje se, duke krahasuar ofertat që ai kishte nga dy partitë kryesore në vend, ajo e PD-së ishte mëse e kënaqshme.

Brenda pasdites, Lesi mblodhi edhe kryesinë, që vendosi zyrtarizimin e koalicionit me Partinë Demokratike. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Ridvan Bode, deklaroi dje për mediat se numri i partive në koalicionin e ardhshëm shkon deri në 25. “Janë duke u kryer negociata me të gjitha partitë që janë ofruar në spektrin e qendrës, qendrës së djathtë dhe të djathta dhe që po i bashkëngjiten koalicionit për zgjedhjet e 23 qershorit. Janë rreth 25 parti që kanë përfunduar negociatat dhe do të vijohet edhe nesër për të përfunduar këto negociata me të gjitha partitë që i ofrohen këtij bashkëpunimi”, – tha ai

1 Aleanca Demokratike
2 Aleanca Europiane Ekologjike
3 Bashkimi Liberal Demokrat
4 Lidhja Demokristiane Shqiptare
5 Partia Agrare Ambientaliste
6 Partia Aleanca Demokristiane
7 Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian
8 Partia Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet
9 Partia Aleanca Popullore
10 Partia Balli Kombëtar PBK
11 Partia Balli Kombëtar Demokrat
12 Partia Bashkimi Demokrat Shqiptar
13 Partia Demokracia e Re Europiane
14 Partia Demokratike
15 Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet
16 Partia e të Drejtave të Mohuara e Re
17 Partia Konservatore
18 Partia Lëvizja e Legalitetit
19 Partia Ora e Shqipërisë
20 Partia Republikane
22 Partia Demokristiane
23 Lëvizja për Zhvillim Kombëtar
24 Lëvizja Shqipëria e Re

Mustafaj: Islami në listë? PD nuk mund të kthehet në kosh plehrash

Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, nuk është dakord me disa zëra që po qarkullojnë së fundmi se Kastriot Islami do të përfshihet në listat e PD-së. Ai thotë se, nëse kjo është e vërtetë, PD po kthehet në kosh plehrash. “Ju drejtohem në këtë rast të gjithë miqve të mi, që janë ndjerë dhe e kanë treguar veten si demokratë para vitit 2005. Dua të sjell në vëmendjen e tyre një thashethem që po qarkullon, sikur Berisha do të fusë Kastriot Islamin në listën e kandidatëve për deputetë të PD për Tiranën. Si do të ndiheshit ju në qoftë se Berisha na kërkon të votojmë për të bërë deputet Islamin? Unë për veten time si demokrat do të ndihesha shumë keq. I ftoj të gjithë demokratet, që mendojnë si unë, t’i shkruajnë Berishës në faqen e tij FB për t’ia shprehur mendimin qofte për Kastriot Islamin e qoftë për dy socialistët e tjerë, që PS i nxori jashtë vetes si të pavlefshëm. Nuk mund të bëhet kosh plehrash PD-ja, që është partia më e madhe e vendit,” shkruan Mustafaj në Facebook

Berisha takon përfaqësues të komunitetit LGBT

Në një takim të zhvilluar me përfaqësues të komunitetit LGBT, kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se i qëndron propozimit të tij se nuk sheh asnjë arsye pse duhet të pengohet e drejta e homoseksualëve për të jetuar me njëri- tjetrin. Berisha është takuar me aktivistët Kristi Pinderi dhe Xheni Karaj. “Ju kam ndjekur me vëmendje dhe keni bërë shumë mirë që keni dalë publikisht për të mbrojtur kauzën tuaj, sepse është e rëndësishme të besosh te kauza që përfaqëson. T’ju them të drejtën, nuk më vinte mirë kur flitej për këtë çështje dhe nuk kishte asnjë përfaqësues të komunitetit që të dilte publikisht për të mbrojtur kauzën”, ka deklaruar Berisha. Kryeministri ka theksuar se ai do mbrojë të drejtat e komunitetit LGBT dhe do të sigurojë mbajtjen e paradës së homoseksualëve në Tiranë në shtator të këtij viti.