Një vit më parë luftonin për mbijetesë, sot duan titullin
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Prillin e vitit të kaluar ndodheshin në vendin e fundit të kampionatit dhe "dhelprat" shpëtuan duke marrë gjashtë fitore në 7 ndeshje. Kjo situatë është një kujtim i hidhur për skuadrën e Leiçesterit, e cila tani është në rrugën e duhur për të fituar titullin kampion në Angli.
Gjithçka duket se nisi në fundin e sezonit të kaluar, kur ekipi arriti të fitonte disa ndeshje radhazi për të siguruar mbijetesën dhe duket një paradoks i rrallë që tani ekipi i Ranierit po komandon kampionatin me 7 pikë diferencë nga Totenhemi.
Mjafton të kthehemi 365 ditë më parë për të parë se çfarë mrekullie ka ndodhur. Ishin vetëm 17 lojtarë dhe trajneri i tyre ishte Nigel Pirson. Kishin grumbulluar vetëm 18 pikë në 30 ndeshje dhe mbijetesa në 7 javë dukej një mirazh.
Në prill ndodhi një përmbysje e çmendur me Kambiason dhe Andi King, i cili shënoi golin e fitores në minutat e fundit. Vardi ishte edhe atëherë heroi i kësaj skuadre, që shënoi në minutën e 90-të. Leiçesteri tani numëronte 25 pikë.
Në javën e 33-të erdhi një tjetër fitore kundër Suonsit me golat e Ulloa dhe King. Leiçesteri shkoi 28 pikë duke lënë pas QPR-në dhe Bërnlin. Prilli ishte një muaj magjik për shpëtimin e Leiçesterit dhe Vardi vendosi sfidën direkte kundër Bërnlit.
Një tjetër javë më vonë "dhelprat" fituan edhe me Njukasëllin duke besuar realit te mbijetesa. Në këtë kohë kishte vend edhe për një nga magjitë e Mahrez, i cili ishte simboli i fitores me Sauthemptonin në javën e 36-të të kampionatit.
Leiçesteri la pas Hullin, QPR-në dhe Bërlnin, ndërsa në 16 maj mjaftoi një barazim 0-0 me Sandërlendin për të siguruar qëndrimin zyrtarisht. Një vit më vonë, skuadrën e drejton një tjetër trajner dhe Leiçesteri është në vendin e parë. "Jemi zgjuar, nuk kemi frikë", është slogani i tifozëve, ndërsa mrekullia duket se po ndodh.