Nje sms i Lionel Mesit largoi Ibren nga Barcelona?
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Një mesazh i dërguar nga Lionel Mesi në telefonin celular të Pep Guardiolës mendohet se ka qenë fatal për karrierën e Zllatan Ibrahimoviç te Barcelona, raportojnë mediat spanjolle. Marca shkruan se Lionel Mesi kishte mbetur i zemëruar me ardhjen e Ibrahimoviç dhe e shihte të kërcënuar pozicionin e tij të liderit në skuadër. Por, atij i mjaftoi një mesazh për të marrë gjërat nën kontroll.
“Telefoni celular i trajnerit të Barcelonës vetëm vibronte dhe ai filloi të vështrojë me habi në ekranin e vogël, i shqetësuar. ‘Shikoje këtë’, i tha ai mikut të tij, Manel Estiarte”, përshkruan Marca momentin e dërgimit të mesazhit telefonik nga Mesi, i cili qëndronte disa vende më prapa, ndërsa blaugranët ktheheshin pas një ndeshje në udhëtim.
Edhe pse fjalët e sakta përshkruhen ndryshe nga persona të ndryshëm, mesazhi kishte afërsisht këtë përmbajtje: “Mirë, po e shoh se nuk jam më i rëndësishëm për skuadrën, ndaj…”.
Veprimi i Mesit nuk është kritikuar nga bashkëlotjarët e tij, por sipas gazetës spanjolle, përmblidhet me këtë fjalë, “Ai nuk është diktator, por sigurisht se e tregon praninë e tij në mënyrën e vet”.
Ibrahimoviç u largua nga “Kamp Nou” pas vetëm një sezoni, ndërsa një vit më vonë nga klubi u largua edhe Pep Guardiola. Mesi, në anën tjetër, vazhdon të jetë ylli i padiskutueshëm i skuadrës.