e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Nioplias: Kujdes nga tifozeria shqiptare, mund te na corientoje

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Nioplias: Kujdes nga tifozeria shqiptare, mund te na corientoje
Nikos Nioplias shpreson që skuadra e tij Qipro, të marrë një rezultat të mirë në Tiranë, por paralajmëron se tifozëria shqiptare mund t’i luajë një shaka të hidhur përfaqësueses së tij. Trajneri grek i qipriotëve, shprehet se nuk e kalon ndërmend humbjen dhe se fitorja do të vijë, nëse ekipi i tij do të vrapojë më shumë se kundërshtari dhe do të jetë më i qetë dhe më i zgjuar në fushën e lojës.

"Për momentin kam djem shumë të shëndetshëm dhe në grup nuk kam asnjë problem, veç faktit, se disa futbollistë të mi, kanë luajtur të hënën në mbrëmje. Futbolli i tanishëm do shumë qetësi, sepse luhet shumë shpesh dhe që lojtarët sfiliten dita-ditës. Si skuadër, duhet të jemi gati, sepse tashmë, për ne, fillon një maratonë e gjatë. Me Shqipërinë, është një ndeshje, e cila do të bazohet shumë tek taktika. Kam parë 2-3 video dhe mund të them, se, gjithçka do të lidhet me faktin, sesa të aftë ne do të jemi për të kontrolluar lojën, dhe të përfitojmë nga gabimet e kundërshtarëve. Gjatë gjithë kohës, duhet të kujtojmë këta elementë dhe të mundohemi të çajmë kundërshtarin. Do të jetë një lojë “shahu” që do një përgatitje shumë të mirë mendore.

Do të luajmë dy ndeshje. Kundërshtarët, janë pak a shumë të njëjtë. Në Shqipëri do të luajmë një ndeshje delikate dhe duhet të ruhemi nga tifozët. Përkrahësit e tyre do të jenë të shumtë dhe detyra jonë, është që të mos emocionohemi, apo trembemi nga një stadium plot. Do të mundohemi, për të bërë më të mirë, pra të fitojmë. Na duhet një rezultat pozitiv",-është shprehur dje trajneri i qipriotëve, Nikos Nioplias. Skuadra jonë kundërshtare për ndeshjen e parë eliminatore për Botërorin e 2014-ës, do të mbërrijë sot në mesditë në Tiranë.

Ajo pritet të zhvillojë edhe një stërvitje, në stadiumin kombëtar, një ditë para ndeshjes me kuqezinjtë.  Kujtojmë, që Shqipëria, ka luajtur me Qipron, në katër raste. Dy herë ka fituar Qiproja, një herë, ndeshja është mbyllur në barazim dhe një herë tjetër, ka fituar Shqipëria. Kuqezinjtë, në fitoren e vetme me qipriotët, kanë rekordin e tyre të golaverazhit. Skuadra, asokohe, e drejtuar nga Josip Kuzhe, në një miqësore në Tiranë, pat fituar 6-1, duke vënë një rekord më vete, në këtë ndeshje, që është sfida e fundit, midis dy kombëtareve.