e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Kombetarja, statistikat jane me kuqezinjte, vetem fati e ndalon

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kombetarja, statistikat jane me kuqezinjte, vetem fati e ndalon
Xhani De Biazi e di shumë mirë. Paraardhësit e tij të huaj, nga 2002-i deri, sot nuk kanë humbur në ndeshjen hapëse zyrtare të një eliminatoreje. Statistikë, fat apo rastësi, s’ka rëndësi. De Biazi është i dënuar të mos humbasë. Shqipëria kuqezi, nuk e njeh humbjen, në një ndeshje Botërori apo Europiani, prej tetorit të 2002-it. Në shumicën e rasteve, skuadra jonë, e drejtuar nga Xhuzepe Dosena, Hans Peter Brigel, Oto Bariç, Ari Han Han dhe Josip Kuzhe, kanë bërë të pamundurën dhe çdo fillim eliminatoreje kanë marrë vetëm fitore ose barazim. Për koiçidencë, skuadra jonë, gjithmonë në ndeshjen e parë, ka luajtur me skuadra të mëdha. Gjithçka, nis në tetorin e 2002-it, kur Shqipëria e Xhuzepe Dosenës barazonte në Tiranë 1-1 me Zvicrën, me të cilën do të luajmë më 12 shtator.

Një ndeshje, ndaj një skuadre, e cila u kualifikua për një Europian në fund të eliminatoreve. Gjithsesi, humbja pas katër ditëve, më pas, bëri që italiani të largohet në mënyrë enigmatike, duke braktisur “anijen” kuqezi. Edhe pse skuadrën tonë e mori një gjerman, Hans Peter Brigel, ky i fundit, në ndeshjen debutuese me Irlandën, nuk humbi. Ashtu, siç bëri edhe në eliminatoret e tjera, që i nisi si asnjëherë tjetër me një fitore. Dhe jo ndaj një skuadre dosido, por Greqisë, kampiones së Europës prej disa javësh, dhe rivales të përjetshme të Shqipërisë. Një ndeshje, që zor se do të përsëritet më në “Qemal Stafa”, teksa kuqezinjtë arrinin të gjunjëzonin me rezultatin 2-1, skuadrën që kish bërë çudinë atë verë. Por, Brigeli, vendos të ikë 4 muaj para nisjes së eliminatoreve dhe vendin e tij e zë një mjeshtër i futbollit Botëror, Oto Bariç.

“Plakushi”, nuk mund të bënte më pak se paraardhësit e tij “të huaj” dhe në transfertën e vështirë të Bjellorusisë së largët, arriti të merrte 1 pikë në ato eliminatore, por plani i tij perfekt, u prish nga ndeshje me Rumaninë në Tiranë, që veniti pikën e marrë jashtë fushe.

Ari Han, ishte pasuesi i “Plakushit”. Ndonëse e morri skuadrën në një moment të keq, mes pezullimit nga FIFA e shumë muajve pa aktivitet, i nisi më mirë se çdo njeri tjetër, eliminatoret. Në ndeshjen zyrtare debutuese, ai barazoi me Suedinë e Zllatan Ibraimoviçit dhe fitoi 3-0 me Maltën, pas 4 ditësh. Por ecuria e mëtejshme e kombëtares, ishte katastrofike, sepse barazimi në ndeshjen e dytë me Maltën dhe dy humbjet me Hungarinë, i firmosën largimin nga skuadra.                                                           

Josip Kuze, ishte njeriu, që pasoi holandezin e njohur. Debutimin e bëri në një Shqipëri-Portugali e humbur në sekondën e fundit të lojës, nga një gafë në dalje e portierit Isli Hidi. Gjithsesi, ishte një prej ndeshjeve mbyllëse, e një eliminatoreje, që nisi shumë mirë dhe përfundoi në mënyrë katastrofike. Një vit, pasi mori detyrën, nisën eliminatoret e Europianit dhe skuadra e Kuzhesë barazoi me Rumaninë jashtë fushe, por fitoi ngushtë me Luksemburgun në Shqipëri. Edhe ai, si Ari Hani, grumbulloi 4 pikë në dy ndeshje, por gjërat morën tatëpjetën, sepse ai u sëmur dhe skuadra humbi objektivin, pasi barazoi me Bosnjën në Tiranë dhe humbi me Bjellorusinë jashtë. Peripecitë më pas, ishin të mëdha dhe sërish kroati u shkarkua në fund të eliminatoreve, duke futur në librin e artë të Shqipërisë, edhe një humbje skandaloze me Luksemburgun, që kuptohet, i vuri kapakun “erës Kuzhe”.  Qartësisht statistikat flasin për një nisje shumë të mirë këto 10 vitet e fundit të eliminatoreve qoftë për Botëror, qoftë për Europian. Të gjithë trajnerët e huaj, që kanë drejtuar e kombëtaren shqiptaren e kanë nisur mbarë. Fat, zotësi apo rastësi kjo nuk ka rëndësi. Për Xhani De Biazin tani bëhet i detyrueshëm që të mos dështojë në premierën zyrtare atë me Qipron. Në të kundërt, do ta shihnim veten 10 vjet pas. Ose mos më keq. Jashtë pretendimeve që pas ndeshjes së dytë zyrtare.        

Kuzhe i vetmi që debutoi me humbje në eliminatore

Vetëm Josip Kuzhe, nga trajnerët e huaj, debutuar me humbje, në një ndeshje zyrtare eliminatore. Bëhet fjalë për Shqipëri- Portugali, ndeshje e fituar, nga Ronaldo me shokë. Gjithsesi, ajo ishte një ndeshje pa shumë rëndësi, për Shqipërinë, sepse ishte nga sfidat e fundit të eliminatoreve, që nisi Ari Han dhe që i përfundoi kroati Josip Kuzhe.

Nisja më e keqe në 1998-ën

Nisja më e keqe e eliminatoreve këto 14 vitet e fundit, është ajo e vitit 1998-të. Trajner ishte Astrit Hafizi, edhe pse bëhej fjalë për një skuadër, e cila vinte nga 1997-ta dhe që po rindërtohej nga e para, pas pezullimit dhe luajtjes nëpër Europë si refugjatë. Ishin dy ndeshje që u luajtën jashtë. E para në Tbilisi ku skuadra jonë u mund me rezultatin 1-0, në një sfidë goxha të luftuar. Por një muaj më pas, gjërat si për çudi ndryshuan. Kuqezinjtë e Hafizit, arritën një barazim 2-2 në Oslo me Norvegjinë, në një ndeshje, që duhet ta kishin fituar thellë, pasi jo vetëm që 10 minuta para fundit ishin në avantazh, por mund të kishin shënuar gola të tjerë.   

Në dy fushatat e fundit, katër pikë dhe dy ndeshje

Dy eliminatoret e fundit, kanë qenë pika më e lartë e kombëtares në premierën e saj. Si eliminatoret e Botërorit dhe Europianit, skuadra jonë përfaqësuese ka grumbulluar 4 pikë në dy ndeshje. Gjatë “erës Han” ka marrë një barazim dhe një fitore brenda, duke grumbulluar katër pikë. Edhe gjatë eliminatoreve të fundit, skuadra jonë, ka grumbulluar po katër pikë, duke barazuar jashtë në Rumani dhe fituar në Shqipëri ndeshjen me Luksemburgun. Shpresohet që edhe këtë herë gjërat të jenë në rendin pozitiv dhe kuqezinjtë, jo vetëm që të mos njohin humbje 2 ndeshjet e para, por edhe të grumbullonin të paktën katër pikë.  

Rekordi i Brigelit dhe fati i keq i Bariçit

Aktualisht që flasim Hans Peter Brigel është trajneri që ka grumbulluar më shumë pikë në një eliminatore. Kështu, në eliminatoret e largëta të vitit 2006-të, skuadra e drejtuar nga gjermani, ka grumbulluar 13 pikë. Një rekord më vete, për kombëtaren shqiptare. Skuadra e atëhershme e Brigelit, fitoi me Greqinë, Gjeorgjinë dhe dy herë me Kazakistanin. Në fund të eliminatoreve ajo barazoi me Ukrainën, por që nuk mundi dot të kualifikohej për në Botëror, edhe pse nxori jashtë Greqinë kampione të Europës. Ky është një rekord që ende është i pathyer nga asnjë trajner tjetër. Shumë afër, i ka shkuar Oto Bariç me skuadrën e tij, menjëherë pas gjermanit. Kroati dhe kuqezinjtë, në eliminatoret për Europianin e 2012-ës grumbulluan 11 pikë. Fati i keq, persekutoi skuadrën e kroatit, që fitoi dy ndeshjet me Luksemburgun, dhe barazoi dy herë me Bullgarinë dhe Slloveninë dhe një herë jashtë me Bjellorusinë. Gjithsesi, në ndeshjen e dytë me bullgarët, Ervin Skela humbi një penallti në kohën shtesë, duke i mohuar përfaqësueses, dy pikë të tjera dhe skuadra pësoi atë humbje të famëkeqe me Bjellorusinë në “Qemal Stafa” me rezultatin 4-2. Një fat i keq, sepse nëse do të kishte marrë një barazim të dyte me Bjellorusinë në Tiranë dhe një fitore me bullgarët do të kishte kaluar ekipin e Hans Peter Brigelit që kushte ekipin më të mirë që Shqipëria ka nxjerrë ndonjëherë në futboll.    

13

Pikë ka grumbulluar në eliminatoret e largëta të vitit 2006-të, skuadra e drejtuar nga gjermani

Rezultatet e dy ndeshjeve të para në 7 eliminatoret e fundit

Astrit Hafizi

5 shtator 1998                    Gjeorgji-Shqipëri             1-0          Kualifikueset për Evropian (Gjeorgji)

14 tetor 1998                      Norvegji-Shqipëri            2-2          Kualifikueset për Evropian (Norvegji)

Medin Zhega                                   

2 shtator 2000                    Finlandë-Shqipëri            2-1          Kualifikueset për Botëror (Finlandë)

11 tetor 2000                      Shqipëri-Greqi                  2-0          Kualifikueset për Botëror (Shqipëri)                             

Xhuzepe Dosena                                                            

12 tetor 2002                      Shqipëri-Zvicër                  1-1          Kualifikueset për Evropian (Shqipëri)

16 tetor 2002                      Rusi-Shqipëri                     4-1          Kualifikueset për Evropian (Rusi) 

Hans Peter Brigel                                          

4 shtator 2004                    Shqipëri-Greqi                  2-1          Kualifikueset për Botëror (Shqipëri)

8 shtator 2004                    Gjeorgji-Shqipëri             2-0          Kualifikueset për Botëror (Gjeorgji)

Oto Bariç

2 shtator 2006                    Bjellorusi-Shqipëri           2-2          Kualifikueset për Evropian (Bjellorusi)

6 shtator 2006                    Shqipëri-Rumani              0-2          Kualifikueset për Evropian (Shqipëri)

Ari Han

6 shtator 2008                    Shqipëri-Suedi                  0-0          Kualifikueset për Botëror (Shqipëri)

10 shtator 2008                 Shqipëri-Maltë                  3-0          Kualifikueset për Botëror (Shqipëri)

Josip Kuze

3 shtator 2010                    Rumani-Shqipëri              1-1          Kualifikueset për Evropian (Rumani)

7 shtator 2010                    Shqipëri-Luksemburg     1-0          Kualifikueset për Evropian (Shqipëri)