Nga Dinamo e Kreshnik Tartarit te fitoret ne Norvegji

Nga Dinamo e Kreshnik Tartarit, te fitoret ne Norvegji

“Ti je krenaria e vendit tonë.” Kështu janë shprehur të gjithë mbështetësit e saj, kur mësuan se Arjola Prenga u shpall fituese e Kupës së Norvegjisë në volejboll për femra. Ky është trofeu i gjashtë i volejbollistes, e cila është konsideruar si një nga sportistet më të spikatura shqiptare. Me një fizik që e “tradhton”, sepse menjëherë sapo e shikon kupton se ke të bësh me një sportiste dhe me një buzëqeshje të ëmbël, ajo rrëfen emocionet dhe pritshmëritë përpara ndeshjes, ku triumfoi. Në intervistën për “Shekulli”-n, Arjola Prenga tregon momentet e para të karrierës së saj, personat që i ka pranë në rrugëtimin e sportit, por nuk lë pa përmendur edhe dashurinë e jetës, që e përkrah dhe e mbështet njësoj si në fillim.

E keni nisur karrierën tuaj në ekipin e Dinamos dhe tashmë triumfoni jashtë Shqipërisë. Sa i vështirë ishte vendimi për të lënë skuadrën që ju dha mundësinë e parë dhe çfarë të mirash solli largimi?

Faktikisht, në qoftë se ekipi i Dinamos do të ekzistonte akoma, nuk e di se si mund të kishte rrjedhur jeta profesionale për mua. Në 2007-n, pasi u shpallëm kampion, Dinamo u shkri për arsye financiare. Te ky ekip kam nisur karrierën time sportive dhe kam qenë shumë e përkushtuar pas tij. Dinamo më dha mundësinë të luaja në Kupat e Europës në një moshë shumë të vogël, më edukoi me disiplinë dhe profesionalizëm. Isha me shumë fat që hapat e parë i hodha nën kujdesin e profesor Kreshnik Tartarit dhe me atë grup lojtarësh dinamovitë. Dëshira për të luajtur jashtë Shqipërisë nuk më ka munguar asnjëherë. Gjithnjë isha në kërkim të sfidave të reja dhe ndieja që mund të jepja më shumë. Megjithatë nuk e kisha menduar asnjëherë se hapin e parë do e hidhja aq larg, në Amerikë.

Keni fituar Kupën e Norvegjisë, edhe pse kjo nuk është hera e parë që ju ngrini një kupë. Kanë kaluar vetëm pak ditë nga ai moment, si ndiheni? E prisnit fitoren?

(Buzëqesh) Ja ku dolëm përsëri te Dinamo. Siç e theksova edhe më lart, kam qenë me shumë fat të isha pjesë e Dinamos, e cila historikisht ka qenë pretendente për të fituar çdo aktivitet, dhe në mos të gjitha, një apo dy do i fitonte çdo sezon, kështu që unë u rrita me atë ndjesinë e finalistes\fitueses. Çdo sezon sportiv të karrierës sime nuk më ka ndodhur ta mbyll pa ndonjë trofe. Fitimin e Kupës së Norvegjisë e kisha për herë të dytë dhe të isha finaliste, për herë të katërt. Ekipi ku unë aktivizohem këtë sezon e kishte për herë të parë daljen në finale apo edhe fitimin e saj, kështu që fitorja më gëzoi pa masë edhe mua. Të gjithë ishim optimistë, por unë personalisht e kam “pësuar” nga Oslo me ekipin ku luaja deri vjet, “Stod Volley”. Nga një situatë në të cilën ishim kryesues të ndeshjes, papritmas gjithçka ndryshoi dhe Oslo u shpall fituese. Ishte kjo një arsye e cila më bënte të përmbahesha dhe nuk doja të kënaqesha së tepërmi, pa përfunduar gjithçka.

Kush ishte personi që ju uroi i pari?

Duke qenë se u bënë katër sezone që luaj në Norvegji, kam krijuar edhe shumë njohje dhe thuajse të gjithë i kisha prezent në “Domus Athletica”, kështu që ata më uruan të parët. Megjithatë edhe pse larg, familja ime, Koli dhe miqtë në Shqipëri më kanë uruar direkt pas ndeshjes. Fatmirësisht, ndeshjen patën mundësinë ta ndiqnin ne “Livestream” dhe i përjetuan emocionet e fitores edhe ata.

Në këtë rrugëtim të gjatë, cilët janë personat që ju kanë mbështetur? A ka patur edhe nga ata që ju kanë zhgënjyer?

Si gjithkush apo si në çdo profesion edhe unë kam persona që më mbështesin, duke filluar që nga familja ime, Koli, të afërmit, shoqëria dhe ata me të cilët punoj. Patjetër, kam pasur edhe zhgënjime nga persona që nuk e prisja, megjithatë jeta është e tillë dhe unë fokusohem te gjërat pozitive dhe shikoj gjithmonë përpara. Nuk e humbas kohën time me asgjë që nuk më motivon.

Njerëzit tuaj më të afërt jetojnë në Shqipëri, ndërkohë që jeta juaj është e lidhur ngushtë me Norvegjinë. Sa e vështirë është kjo largësi për ju?

Të ndjekurit e karrierës jashtë Shqipërisë ka edhe anët e saj negative. Nuk mendoja kurrë se do lidhesha aq ngushtë me Norvegjinë dhe me njerëzit këtu. Si çdo herë, mendoja që do luaja një sezon dhe do ndryshoja shtet. Por ja që Norvegjia dhe norvegjezët si në asnjë vend tjetër nuk më gjykuan as edhe një herë të vetme nga pasaporta. Duke qenë se jam edhe natyrë shumë e drejtpërdrejtë dhe gjithmonë them atë që mendoj, gjithmonë e dija që jo të gjithë do më pëlqejnë. Por që të më pëlqenin të gjithë, këtë s’ma merrte mendja (Buzëqesh), dhe pikërisht kjo ndodhi në Norvegji. Njerëzit më duan për atë që jam, për kontributin tim në sport apo edhe në shoqëri. Më vlerësojnë, mbështesin dhe më motivojnë pa fund, duke ma bërë edhe më të lehtë vështirësinë e të qënurit larg familjarëve. Në ditët e sotme ka njerëz me vështirësi shumë më të mëdha se të miat, kështu që disi mundohemi të shkurtojmë distancat me fluturime të shpeshta.

Të kanë paragjykuar sepse je shqiptare?

Nuk është se më kanë kryqëzuar, që të mos e bëjmë tragjike, por në çdo shtet që kam jetuar kam hasur në paragjykime. Me shqetësonte faktikisht, më vinte inat, por jo se i lejoja të sillesh keq me mua. Për shembull,  në SHBA më ka ndodhur që sa iu thosha “From Albania” (nga Shqipëria) e lidhnin me filmin “Taken” edhe më qëndronin ftohtë ose mezi më jepnin dorën. Edhe në Spanjë apo Francë kam hasur në raste paragjykimi. Ndërsa në Norvegji asnjëherë, as nga njerëzit e thjeshtë ose në aeroporte te kontrollet, më bënte përshtypje sepse jo vetëm që silleshin mirë, por edhe më buzëqeshnin, ndërsa shtete të tjera më shikojnë pasaportën  me imtësi, edhe kur kam pasur udhëtime me ekipin Norvegjez nëpër Europë. Sigurisht që ndihesha e paragjykuar. Po në fakt, kjo është njëra ndër arsyet që unë kam qëndruar në Norvegji, sepse asnjëherë nuk më kanë paragjykuar, as një herë të vetme.

Si ndiheni me trupin tënd? Sa kujdesesh për të pasur një formë të mirë fizike  dhe për shkak të sportit që ushtron, jeni e detyruar t’i nënshtroheni dietave?

Me trupin ndihem mirë për sa kohë nuk bën naze në sport. (Qesh) Përtej shakasë, sigurisht që kujdesem, por jo për tu dukur bukur, por se është profesioni i tillë që më duhet patjetër të kem një gjendje fizike sa më të mirë. Asnjëherë nuk kam mbajtur dhe nuk mbaj dieta, as me dëshirë dhe as me detyrim.

A ka xhelozi midis teje dhe dy motrave tuaja sa i përket kupave që fitoni, duke qenë se edhe ato janë volejbolliste?

Ne jemi ushqyer që të vogla me dashurinë për sportin dhe një sportist i vërtetë nuk ka xhelozi jo vetëm për motrën, por as për kolegët. Për më tepër kupat që fiton motra të lumturojnë më shumë se ato që fiton vetë.

Keni një filozofi për jetën?

Fokusohem në gjithçka që më bën të ndihem mirë dhe të plotësuar, dhe përpiqem të shmang me çdo kusht gjithçka që nuk më motivon.

Nëse në një të ardhme, për shkaqe të ndryshme do të detyroheni të mos merreni më me sport, çfarë do të bënit tjetër?

E ardhmja do të më detyrojë mos të luaj më volejboll, por jo mos të merrem me sport , sepse është e pamundur për mua mos të merrem me sport.

Jeta mes një çifti sportistësh

 



Pa e pyetur, Arjola nuk lë pa përmendur Kolin, me të cilën është dashuruar që prej 11 vitesh. Ajo thotë se vitet ikin shpejt dhe i duket sikur ka kaluar vetëm një vit. Ajo flet me dashuri për njeriun që e mirëkupton dhe i fal gjithçka që ajo do, ndaj largësia është i vetmi problem mes çiftit, por që të dy ia kanë gjetur zgjidhjen. Në pjesën e dytë të intervistës, Arjola tregon për mbështetjen dhe planet së bashku me Kolin.

Sa ju mbështet partneri në sport?

Partneri im është marrë vetë me sport, me basketboll, kështu që ai e di çdo të thotë të jesh sportist profesionist dhe sa të duhet mbështetja, aq më tepër kur je në largësi.

A ka pasur ndonjëherë probleme midis jush për shkak të sportit?

Nuk do të thosha probleme për shkak të sportit, por më shumë ka krijuar probleme distanca dhe moskoordinimi i kohës që kemi pasur njëkohësisht në dispozicion. Megjithatë, Koli ka qenë pranë meje sa herë ka pasur mundësi.

Meqenëse prej 11 vitesh jeni bashkë, kur keni vendosur ta finalizoni dashurinë me martesë?

Unë dhe Koli jemi të fejuar dhe kur kthehem në Shqipëri, unë jetoj me Kolin, dhe gjithashtu Koli vjen thuajse çdo muaj në Norvegji. Për martesë kemi folur gjithmonë, të paktën këto vitet e fundit, por hë tani, hë pastaj, sepse as unë nuk po e ndaj mendjen mirë se çfarë dua (Qesh). Domethënë, e di se çfarë dua, por nuk e di nëse do të jetojmë në Shqipëri apo në Norvegji, sepse akoma nuk e kam vendosur ta mbyllë karrierën.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama