e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Nga 1 tetori rritet akciza per kafen , birren dhe karburantet

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Nga 1 tetori rritet akciza per kafen , birren dhe karburantet
Ministria e Financave ka hartuar një udhëzim të ri për akcizat që e kalon administrimin e kësaj takse nga tatimet tek doganat. Ndryshimet që hyjnë në fuqi nga 1 tetori, sjellin rritje të fortë të barrës fiskale për disa produkte, duke sjellë jo pak kosto për importuesit, por që barra do të bjerë në xhepat e qytetarëve të cilët sa herë që ka rritje të tilla, janë të detyruar që të shpenzojnë më shumë të ardhura nga xhepi i tyre. Akciza e re prek disa artikuj të ndryshëm si kafja, birra, karburantet etj.

Në udhëzimin e ri, Ministri i Financave, Ridvan Bode, urdhëron që në rastin e importit të produkteve që u nënshtrohen akcizës, niveli i taksimit do të varet nga sasia e prodhimit faktik të vitit të mëparshëm kalendarik. Importuesit duhet të paraqesin pranë Departamentit të Akcizës në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave (DPD), një dokument me të cilin të deklarojnë sasinë e prodhimit të kompanisë prodhuese të kësaj kategorie/lloj produkti. Për këtë rast, dokumenti duhet të lëshohet nga kompania prodhuese e kategorisë/llojit të produktit të importuar, pavarësisht nga vendi eksportues; të jetë i certifikuar dhe i miratuar nga autoriteti fiskal mbikëqyrës i prodhuesit në shtetin përkatës. Gjithashtu,  dokumentet që do të dërgohen në dogana, do të duhet të tregojnë sasinë faktike të prodhimit total të vitit të mëparshëm, jo vetëm për markën dhe llojin e ambalazhit të produktit që po importohet, për totalin e të gjitha markave e të produkteve të së njëjtës kategori dhe lloj produkti të prodhuar prej kompanisë prodhuese dhe pavarësisht llojit të ambalazhit.

Për shembull, kur fabrika prodhon disa marka të ndryshme birre dhe në lloje të ndryshme ambalazhesh, atëherë dokumenti vërtetues duhet të tregojë sasinë e prodhimit të vitit të kaluar, jo vetëm për markën dhe llojin e ambalazhit të birrës që po importohet, por për totalin e të gjitha markave të birrës të prodhuara për çfarëdo lloj ambalazhi të përdorura në të njëjtën fabrikë.

Për prodhimin vendas

Në rastet e prodhimit në territorin shqiptar të produkteve që i nënshtrohen detyrimit të akcizës do të varet nga sasia e prodhimit faktik të vitit të mëparshëm kalendarik. Prodhuesit vendas duhet të paraqesin pranë Departamentit të Akcizës në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave një vërtetim nga autoritetet tatimore ku të përcaktohet sasia e prodhimit faktik të fabrikës. Pas certifikimit të sasisë së prodhimit, si në import ashtu edhe në prodhimin vendas, Departamenti i Akcizës në DPD do të përcaktojë nivelin e taksimit me akcizë për çdo produkt që i nënshtrohet këtij kriteri përgjatë një viti kalendarik dhe njëkohësisht informon autoritetet doganore mbikëqyrëse. Niveli përkatës i taksimit të akcizës gjatë deklarimit në procedurat e importit apo të deklarimit nga prodhuesit vendas, do të jepet pas paraqitjes dhe pranimit të dokumentit të vërtetimit si të vlefshëm. Në rast të mosparaqitjes së këtij vërtetimi, ose të paraqitjes së një vërtetimi që nuk i plotëson kriteret si i tillë, nga organet doganore do të aplikohet shkalla më e lartë e nivelit të akcizës për çdo kategori produktesh duke informuar importuesin apo prodhuesin për arsyet e refuzimit.

Sanksionet nga shkeljet

Autoritet Doganore në kuadër të marrëdhënieve të ndërsjella dhe marrëveshjeve të ndryshme në fuqi me autoritetet doganore homologe apo strukturat e tjera kompetente, mund të bëjë verifikimin e këtyre vërtetimeve nga autoritetet tatimore ku të përcaktohet sasia e prodhimit faktik të fabrikës. Në rast se nga verifikimet e kryera apo çdo lloj verifikimi tjetër dokumentar apo dhe fizik të ngarkesës, rezulton që nuk plotësohen kushtet apo kriteret e këtij udhëzimi, atëherë: a) niveli i diferencuar i taksimit për shkak të sasisë së prodhimit pushon së qeni i vlefshëm;

b) zbatohet niveli maksimal i taksimit;c) aplikohet kontroll aposterior mbi deklarimet e mëparshme të cilat kanë përfituar nga vërtetimet jashtë kritereve, si dhe aplikohen sanksionet përkatëse për shmangie të detyrimit të akcizës.

Për lejet ekzistuese

Vërtetimet e sasisë së prodhimit për përcaktimin e nivelit të akcizës së produkteve të akcizës të depozituara pranë degëve doganore në rastet e importit mund të përdoren deri më datën 15 tetor 2012. Për të gjitha rastet e importit deri më 15 tetor 2012 për të cilat ka patur vërtetime prodhuesi të depozituara pranë degëve doganore, niveli i detyrimeve të akcizës do të vazhdojë të aplikohet sipas vërtetimit ekzistues, duke depozituar garanci për diferencën e detyrimit të akcizës si pasojë e nivelit të diferencuar. Garancia depozitohet pranë zyrës së financës të degës doganore përkatëse.

Dokumentacioni i ri

Importuesit duhet të rinovojnë vërtetimet e prodhuesit sipas kritereve të këtij udhëzimi. Nëse pas datës 15 tetor 2012 nuk janë depozituar vërtetimet e rinovuara; vërtetimet që depozitohen nuk plotësojnë kriteret e këtij udhëzimi ose vërtetimi i rinovuar tregon për një sasi prodhimi të ndryshme nga ai i mëparshëm, garancia nuk rikthehet dhe preket nga autoritetet doganore për efekt të pagesës së diferencës së detyrimeve të akcizës. Nëse pas datës 15 tetor 2012 vërtetimet e rinovuara plotësojnë kriteret e këtij udhëzimi, garancia rikthehet