e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Ndryshon sigurimi i makinave, cmimi ne baze te aksidenteve

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Ndryshon sigurimi i makinave, cmimi ne baze te aksidenteve
Tarifat e sigurimeve të makinave do të aplikohen në bazë risku dhe merite. Kjo do të thotë se nëse je shofer i ri, apo shumë i vjetër dhe nëse ke precedent në aksidente, do të paguash tarifë më të lartë siguracioni. Por nëse ke mbi pesë vjet shofer dhe ke një civi të pastër aksidentesh, do të kesh një tarifë më të ulët sigurimi. Kjo metodologji që aplikohet aktualisht në të gjitha vendet e Bashkimit Europian, por edhe në Rajon, pritet të jetë e vlefshme edhe për Shqipërinë. Autoriteti i Mbikëqyrjes së Sigurimeve gjatë një takimi me median dje ka pohuar se projekti “Bonus-Malus”, që do të thotë sigurim i automjetit në bazë të riskut, është drejt përfundimit, i asistuar nga Bankës Botërore.

Çmimet

Me aplikimin e sistemit “Bonus-Malus” ajo që është e sigurt ka të bëjë me faktin se çmimi nuk do të jetë i njëjtë për të gjithë përdoruesit e automjeteve. Por projekti që do të çojë në tarifat e reja është në fazën përmbyllëse. Si referencë do të jetë çmimi i primit të rrezikut, i cili ende nuk është përllogaritur dhe do të jetë objekt i punës së kompanive të sigurimit. “Ky projekt, i cili po realizohet edhe falë bashkëpunimit me Bankën Botërore, paraqet një mundësi për të kaluar drejt një tarifimi më efektiv, në llogaritjen e primit të sigurimit të detyrueshëm motorik, që është ai me bazë riskun”, tha Enkelejda Shehu, kryetare e AMF. Në zbatim të këtij projekti, AMF ka bërë përmirësime të ndjeshme në Qendrën Kombëtare të të Dhënave për Sigurimin e Detyrueshëm Motorik, në drejtim të furnizimit të parametrave të nevojshëm për klasifikimin me bazë risku të marrjes në sigurim të mjetit dhe drejtuesve të tij, duke integruar mundësimin e përqasjes “Bonus-Malus”. Një gjë e tillë, i krijon mundësi shoqërive të sigurimit të llogarisin tarifa sigurimi të lidhura drejtpërdrejt me historikun e dëmeve të drejtuesit ë mjetit. Të dhënat e nevojshme merren tashmë në kohë reale nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor.

Kompanitë

Për kompanitë e sigurimeve aplikimi i sistemit “Bonus-Malus” duhej menjëherë pas liberalizimit të tarifave. Avni Ponari, kryetar i Shoqatës së Kompanive të Sigurimeve është shprehur se vendosja e sistemit “Bonus- Malus” do të thotë regjistrim i dëmeve dhe historiku i tyre për çdo klient dhe çdo targë për të aplikuar tarifa specifike për shkaktarët e dëmeve dhe për mjetet me kubikazh të ndryshëm. Shqipëria ka rreth 350 mijë makina, nga të cilat janë rreth 30% të pasiguruara dhe ato që janë të siguruara akoma nuk është bërë e mundur që agjentit t’i dërgohen të gjitha të dhënat e mjetit dhe të gjitha të dhënat e përdoruesit, duke aplikuar tek ai tarifën mbi bazën e historikut që paraqet.

Ponari thotë se grumbullimi dhe evidentimi i këtyre të dhënave kërkon vetëm angazhim, bashkëpunim dhe jo më shumë se një muaj kohë. Fabrikimi i primit të rrezikut apo krijimi i artificave duke përdorur frikën se çfarë ndodh nëse një kompani mund të dalë nga tregu etj., nuk janë asgjë tjetër veçse lojëra me tregun ose lojë e njëjtë si ato që ulin çmimet dhe punojnë pa e kuptuar se janë në tregun e sigurimeve dhe jo në tregun e mallrave industriale, shton Ponari. Në këtë pikë i takon AMF-së të luajë rolin e tij mbikëqyrës mbi rrezikun dhe dëmet e paguara si dhe garantimin e pagesës së dëmeve. E vërteta është se asnjë klient nuk mbetet i pambuluar dhe asnjë shqetësim nuk është në treg.

“Fabrikimi i primit të rrezikut apo krijimi i artificave duke përdorur frikën se çfarë ndodh nëse një kompani mund të dalë nga tregu etj., nuk janë asgjë tjetër veçse lojëra me tregun, ose lojë e njëjtë si ato që ulin çmimet dhe punojnë pa e kuptuar se janë në tregun e sigurimeve dhe jo në tregun e mallrave industriale”, tha Ponari.

Qytetet me shumë aksidente, tarifa më të larta

Qytetet me numrin më të madh të aksidenteve do të ketë një prim rreziku më të lartë se qytetet me frekuencë më të ulët aksidentesh. Gjithashtu femrat duket se do të jenë me të favorizuara në siguracionin e makinës, për shkak se statistikat tregojnë se ato janë më pak burim aksidentesh se meshkujt. Gjithashtu mosha e drejtuesit të mjetit do të jetë një faktor me peshë në përcaktimin e çmimit, duke qenë se janë të rinjtë përgjegjës për numrin më të madh të aksidenteve. Ndërkohë që vlerësohet se elementi më i rëndësishëm në llogaritjen me bazë risku të primeve të sigurimit TPL është principi bons/malus, ose historiku i dëmeve të drejtuesit të mjetit. Kjo do të thotë se, nëse ke kryer një aksident këtë vit, do të kesh një tarifë me të lartë sigurimi për vitin tjetër. Përveçse po rri në vendnumëro për vite me radhë, tregu i sigurimeve dy vitet e fundit është zhytur në kaos kur çmimi i siguracionit për automjetet, që është burimi kryesor i të ardhurave, një javë kap vlerën e 180 mijë lekëve dhe javën tjetër e gjen edhe me 50 mijë lekë. Ky ndryshim i vlerave me ditë i ka bërë mosbesues edhe klientët, të cilët presin të sigurojnë makinat vetëm kur çmimi të jetë afër 50-60 mijë lekëve, ndërkohë që tarifa e diktuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare autorizon një policë jo më të vogël se 140 mijë lekë.