Ndryshimet, Vllaznia me 2 sulmues
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Mungesa e mbrojtësit të qendrës, Endri Vrapi, ka shqetësuar jo pak drejtuesit e klubit kuqeblu. Ai ka plotësuar numrin tre të kartonëve të verdhë dhe nuk do të jetë i gatshëm për Vllazninë në ndeshjen ndaj Laçit.
Një mungesë e tillë ka bërë që tekniku Çungu të shikojë lojtarët që do të hedhë në fushë nga minuta e parë. Ende nuk dihet se kush do të luajë përkrah malazezit Cicmil, në qendër të mbrojtjes. Trajneri Cungu ka një dilemë, për ta aktivizuar sërish shqiptaro-malazezin Rudoviç apo për të futur Pjeshkën, i cili edhe më parë ka luajtur në këtë pozicion, madje e ka kryer me sukses.
Kjo është vetëm njëra dilemë. Mëdyshja tjetër ka të bëjë me krahun e majtë të mbrojtjes. Marku u dëmtua në brinjë në takimin me vlonjatët dhe ende nuk ka një vendim nga ana e stafit mjekësor, nëse do të jetë në fushë nesër apo jo.
Nëse Marku nuk do të jetë i gatshëm, atëherë vendin e tij nga minuta e parë do ta zërë Hakaj. Ishte pikërisht ky lojtar që u aktivizua në të majtë të mbrojtjes pas dëmtimit të Markut në ndeshjen e fundit. Mirëpo, probleme duket se do të kenë edhe reparte të tjera.
Krymi është një tjetër lojtar që shqetëson me gjendjen e tij shëndetësore. Ndërsa problemi i radhës vjen nga reparti sulmues. Dibra ka pësuar një lëndim në këmbën e djathtë. Në këto kushte, lojtari mbetet në pikëpyetje për takimin ndaj Laçit.
Ndryshimet - Përveç ndryshimeve në mbrojtje, që janë të diktuara, riparime në formacion priten edhe në mesfushë dhe sulm. Mendohet se ndaj kurbinasve Vllaznia do të luajë me dy sulmues, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të merret fitorja.
Të paktën kjo është ideja, megjithatë deri në ditën e ndeshjes shumë gjëra mund të ndryshojnë. Ajo që mbetet pikë referimi është vetëm objektivi, për të marrë me çdo kusht tri pikët në këtë takim. Nga sa mësohet, Dibra është projektuar që të jetë nga minuta e parë së bashku me Kalanë. Ndërsa po shikohet mundësia që të luhet me katër mesfushorë. Shtubina, Krymi, Sefa e Bardulla, të cilët pritet të luajnë nga minuta e parë. Me sa duket, skema që tekniku Cungu kërkon të mposhtë Laçin do të jetë rreshtimi 4-4-2.