Ndryshime në stafin e Laçit, Laska prezanton Zekën dhe Bankinin
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Merr fund konfigurimi i stafit teknik të Laçit. Sot pasdite, presidenti Pashk Laska ka prezantuar para futbollistëve të gjithë stafin e ri me të cilin kurbinasit do të vijojnë punën deri në mbyllje të edicionit.
"Nga sot (dje) skuadra do të ketë në krye Eugent Zekën dhe Marko Bankinin. Një dyshe që do të drejtojë bashkë, sikurse muaj më parë u veprua te Kukësi.
Parësore për ju është që të zbatohen detyrat e dhëna nga teknikët, pasi kemi rrugë për të bërë deri në fund të sezonit", ishin fjalët e presidentit Laska para ekipit.
Në fakt, para se presidenti të deklaronte para skuadrës të rejat e fundit, u zhvillua një takim paraprak mes Laskës, Ndreut, Zekajt dhe Bankinit.
Mësohet se italiani ka kërkuar që të mbetet ai "violinë" e parë, por presidenti, duke parë synimin e Bankinit dhe dëshirën për t'ia lënë fatet e skuadrës shkodranit, ka zgjedhur një rrugë të mesme që i ka kënaqur të gjithë. Në seancën e djeshme kanë drejtuar të dy teknikët.