e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Ndreu në debutim: Pres një skuadër super të motivuar

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ndreu në debutim: Pres një skuadër super të motivuar

Në vigjilje të ndeshjes me Flamurtarin, skuadra e drejtuar nga Ndreu tashmë ka intensifikuar përgatitjet në terren. Domosdoshmëria e pikëve i ka shtyrë kurbinasit ta shohin këtë shtëpiake si një mundësi të artë për të hedhur një hap të sigurt drejt sigurimit matematikor të mbijetesës.Ndreu ne pankine Bardhezinjtë dje u ushtruan për 90 minuta, me një seancë në orarin e ndeshjes së nesërme. Ekipi dje, veç punës në aspektin teknik, ka zhvilluar edhe një lojë brenda grupit. Në këtë minutazh, ndërsa lojtarët ishin në kontakt me topin, është kërkuar jo vetëm modeli më efikas për të shkuar te goli, por dhe rikonfigurimi i repartit të mbrojtjes, aty ku në mungesë të Buljanit, do të spostohet Çela.

Trajneri bardhezi, gjatë këtij testi, nuk ka ngurruar që të "shkartisë" edhe grupin, duke lënë kështu edhe dilema për 11-shen. Por, përveç mbrojtësit kroat, i pezulluar është edhe sulmuesi Malindi, i cili plotësoi numrin tre të të verdhëve.

Trajneri - Ramadan Ndreu e tha hapur se kërkon pikët e plota në debutim. Në një bisedë me gazetën, numri një i pankinës së kurbinasve, sqaroi se skuadra është më shumë se motivuar, ndaj i ka që të gjitha shanset që të marrë maksimumin.

"Mbetemi pjesë e garës deri në fund. Pozicioni i ri i imi, tashmë në krye të stolit, ka ardhur në një moment kur klubi pret shumë. Së bashku me stafin dhe vetë futbollistët, do të përpiqemi në maksimum për të gjetur shtigjet e suksesit.

Natyrisht që kontingjentin e njoh mirë. Është avantazh, por edhe përgjegjësi. Në natyrën time gjithnjë ka zënë vend angazhimi dhe kryerja me rigorozitet i detyrave. Uroj që futbollistët të jenë aktivë, t'i zbatojnë me përpikëri udhëzimet dhe të jenë super të motivuar për pjesën e mbetur të sezonit", ishin këto fjalët e Ndreut, i cili njëherësh mban edhe postin e drejtorit teknik të kurbinasve.