e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Ndaj Hungarisë/ Masa të rrepta, policia rrethon Elbasanin

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ndaj Hungarisë/ Masa të rrepta, policia rrethon Elbasanin

Drejtoria e Policisë së Elbasanit ka bërë të ditur dje për mediat planin e masave në kuadër të ndeshjes së Shpresave. policia shqiptarePër mbarëvajtjen sa më normale të sfidës, do të angazhohen 200 forca policie, ndërkohë që hyrja e tifozëve në stadium do të nisë dy orë para startimit të ndeshjes dhe fëmijët pa biletë nuk do të lejohen të hyjnë në stadium.

Policia bën me dije edhe rrugët që do të bllokohen, njëkohësisht sqaron sportdashësit edhe vendin ku mund të parkojnë.

Komunikata

"Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan ka marrë një sërë masash organizative në drejtim të sigurimit të rendit dhe qetësisë, për zhvillimin sa më normal të ndeshjes ndërkombëtare të futbollit ndërmjet ekipeve Shqipëri dhe Hungari. Në orën 17:00 nuk do të lejohet parkimi i automjeteve përreth dhe përballë stadiumit, deri në përfundim të ndeshjes. Nga Bulevardi 'Kamber Sejdini', duke filluar nga Kryqëzimi i romëve deri te Kryqëzimi i tapeteve në orën 17:00 nuk do të lejohet lëvizja dhe parkimi i mjeteve.

Parkimi i mjeteve për sportdashësit do të lejohet në rrugën e re të romëve. Bëjmë me dije se hyrja e sportdashësve do të fillojë në orën 18:00, me qëllim për të shmangur radhët e gjata në hyrje për në stadium. Lidhur me ndeshjen, do të angazhohen 200 punonjës policie nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan.

Nuk do të lejohet marrja e fëmijëve të mitur pa u pajisur me biletë. Të gjithë sportdashësit që do të marrin pjesë në këtë aktivitet, të jenë të pajisur me biletë dhe me kartë identiteti dhe të mos kenë me vete: a) sende të forta, b) shishe (të çfarëdolloji), c) fishekzjarrë, d) monedha apo metale (të çfarëdolloji), e) çelësa të ndryshëm. Në të kundërt nuk do të lejohen të futen në stadium. Në hyrje të stadiumit do të kontrollohen të gjithë sportdashësit.

Të gjitha lokalet që ndodhen përreth stadiumit, nga ora 18:00 dhe deri në përfundim të ndeshjes, të marrin masa të jenë të mbyllura.

Drejtoria e Policisë Elbasan u kërkon qytetarëve që të minimizojnë më datë 28 mars lëvizjen e tyre me automjet brenda qytetit të Elbasanit, çka do të sillte një ndihmesë të madhe në zhvillimin sa më normal të këtij aktiviteti", citohej në komunikatën për shtyp të Drejtorisë së Policisë së Elbasanit. Edhe pse priten pak tifozë, mësohet se këto masa të rrepta vijnë si rrjedhojë e shtimit të forcave të sigurisë pas ngjarjeve të rënda që kanë ndodhur në Europë gjatë ditëve të fundit. V.M.