e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Mustafi, me Gjermanine ne Boteror

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Mustafi, me Gjermanine ne Boteror

Me datë 13 korrik, në stadiumin “Marakana” të Rio De Zhanejros, një shqiptar mund të jetë duke festuar me Kupën e Botës në duar. Bëhet fjalë për Shkodran Mustafin, mbrojtësin 22-vjeçar, i cili është grumbulluar në listën paraprake të Gjermanisë, një prej kombëtareve pretendente për të fituar këtë edicion të turneut. Ai do t’i shtohet kësisoj listës së shqiptarëve të Zvicrës, atyre të Greqisë dhe Adnan Januzajt te Belgjika si pjesëmarrës në këtë turne, por duke qenë pjesë e përfaqësueses së drejtuar nga Joakim Lëv, ka më shumë shanse për të bërë të vetin trofeun më të lakmuar në futbollin botëror.

Mustafi ka qenë pjesë e kombëtareve të moshave të Gjermanisë, duke filluar që tek U-16, por suksesin më të madh në rang ndërkombëtar e përjetoi me U-17. Me këtë përfaqësuese, në vitin 2009, ai arriti të fitonte Kampionatin Europian, duke qenë pjesë e formacionit titullar. Paraqitjet e tij me Gjermaninë vazhduan me sistemin zinxhir, në përfaqësueset U-19 dhe U-21, duke qenë gjithmonë një titullar fiks i tyre. Kalimi te Sampdoria në Serinë A, e konfirmoi atë si një mbrojtës me perspektivë, duke shtuar njëkohësisht edhe vlerësimet ndaj tij. Megjithatë, mungesa e një thirrjeje në kombëtaren e madhe të Gjermanisë bëri që Mustafi për disa muaj të merrte në konsideratë idenë e kalimit te përfaqësuesja shqiptare, duke zhvilluar takime edhe me trajnerin De Biazi dhe ndihmësin e tij Tramezani. Por ky opsion ra përfundimisht poshtë në fillimin e këtij viti, kur Mustafi u ftua nga përfaqësuesja gjermane për miqësoren ndaj Kilit. Ndonëse nuk luajti për asnjë minutë në atë sfidë, grumbullimi mjaftoi për të bindur Mustafin që të priste shansin e tij me Gjermaninë dhe të mos i bashkohej kombëtares shqiptare të futbollit.

Grumbullimi i Mustafit në listën paraprake të Lëv është komentuar pozitivisht në mediat e ndryshme europiane, duke filluar nga ato gjermane që e kanë vlerësuar mbrojtësin si të ardhmen e kësaj përfaqësueseje. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për komentet në Itali, ku ai aktivizohet me Sampdorian, si dhe në Angli, ku ka qenë pjesë e Evertonit. Mediat angleze kanë shfrytëzuar grumbullimin e tij me Gjermaninë për të sulmuar ish-trajnerin e Mançester Junajtid, David Mojes, për t’i kujtuar atij se dy vite më parë kishte lënë këtë lojtar cilësor të largohej me parametër zero nga Evertoni.

Vetë futbollisti shqiptar ka pritur me entuziazëm këtë ftesë që i kishte ardhur nga Lëv, duke e cilësuar një motivim më shumë për vazhdimin e karrierës së tij. “Kampionati Botëror është turneu më i madh që një futbollist mund të luajë. Vetë prania në listën paraprake është një gjë e madhe për mua. Kjo gjë të motivon, sidomos kur je në moshë të re. Tani shpresoj që të bind trajnerin Lëv me paraqitjet e mia”, ishin fjalët e mbrojtësit. Mustafi pritet të debutojë me Gjermaninë në miqësoren e 1 qershorit ndaj Kamerunit, pas të cilës Lëv do të bëjë përzgjedhjen përfundimtare të 23 lojtarëve për pjesëmarrjen në Botërorin 2014.

Karriera

Mustafi doli nga ekipet zinxhir të FV Bebra dhe SV Rotenburg. Në vitet 2006-2009 ai ishte pjesë e Hamburgut, ndërsa nga viti 2009 deri në vitin 2012, iu bashkua Evertonit. Që nga viti 2012, Mustafi është bërë pjesë e ekipit të Sampdorias.