e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Murinjo: Real-Junajtid, ndeshja qe e pret e gjithe bota

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Murinjo: Real-Junajtid, ndeshja qe e pret e gjithe bota
Zhoze Murinjo ka përshkruar si “ndeshjen që po e pret e gjithë bota” atë mes Real Madrid dhe Mançester Junajtid, skuadra që do të vihen përballë njëra-tjetrës në Ligën e Kampioneve të mërkurën.

Trajneri i madrilenëve ishte në “Old Traford” për të parë rivalët në ndeshjen e të dielës, ndërsa nuk ka ngurruar të japë një koment për “MUTV” rreth kësaj sfide që ai e cilëson si më e madhja e Ligës së Kampioneve, ndonëse kjo fazë e turneut sjell të tjera përplasje të mëdha si Milan-Barcelona apo Bajern Mynih-Arsenal.

“Kjo është ndeshja që e gjithë bota po pret. Bota nuk po pret për ndeshje të tjera në Ligën e Kampioneve, ndaj shpresoj që t’i japim atë spektakël që të gjithë po presin me padurim”.

Murinjo dhe Ferguson janë miq të mirë, gjë të cilën e kanë pranuar publikisht dhe kjo sipas Murinjos është një arsye më shumë pse kjo sfidë është shumë e veçantë.

“Ndjehem i privilegjuar rreth një gjëje të tillë, pasi ai është një person kaq i veçantë në botën e futbollit dhe më e rëndësishmja është që mbetet një person i mirë. Kam pasur gjithmonë një marrëdhënie fantastike me të dhe jam krenar për një gjë të tillë. Kemi zhvilluar kaq shumë ndeshje kundër njëri-tjetrit, të cilat filluan që kur unë isha te Porto. Kemi pasur disa me Çelsin, Interin dhe tani me Realin. Te të gjithë klubet e mia, unë jam ndeshur me Mançester Junajtid dhe Sër Aleks”.