e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Murinjo: Guardiola shtiret, ben si perfekt

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Murinjo: Guardiola shtiret, ben si perfekt
Zhoze Murinjo ka analizuar sezonin që përfundoi duke u shprehur se nuk do bëjë ndryshime në skuadër për vitin e ardhshëm. Ai e ka cilësuar si detyrim triumfin në kampionat, ndërkohë që ka pranuar se lojtarët kanë pasur ankesa gjatë sezonit për sjelljen e tij. Në fund, tekniku portugez i Realit të Madridit ka thumbuar Guardiolën, – “nuk më pëlqejnë njerëzit që shtiren si perfekt”, ndërkohë që ka cilësuar si të pashitshëm Gonzalo Higuainin.

Mendoni se përfundoi cikli i Barcelonës dhe nisi cikli i Realit?

Triumfi në kampionat ishte shumë i rëndësishëm për t’i dhënë fund ciklit të Barcelonës. Ishte shumë e rëndësishme për Realin e Madridit, për historinë e vet dhe nuk na lejohej që të dështonim sivjet. Gjithsesi, është e vështirë të flasësh për cikle, pasi Barcelona është e njëjta, duke pasur futbollistë shumë të talentuar dhe bën një lojë të mirë.

Guardiola deklaroi se arbitrat dhe rrethana të tjera e kanë dëmtuar skuadrën e tij këtë sezon…

E njoh Guardiolën që kur ishte futbollist dhe unë isha ndihmëstrajner. Kam kujtime të bukura për atë periudhë. Më pas jeta ndryshon, njerëzit ndryshojnë. Trajnerët bëjnë edhe gabime. Ajo që nuk është normale, është kur mundohesh të shesësh një imazh si perfekt dhe në fund na del që askush nuk është perfekt. Unë kurrë nuk jam munduar të shes një imazh si perfekt. Kurrë nuk jam munduar t’i fsheh defektet e mua. Ka njerëz që kanë personalitete të ndryshme, por që fshihen, pavarësisht se koha tregon gjithçka. Si në futboll, ashtu edhe në jetë, asgjë nuk është perfekte.

Cilat janë objektivat tuaj mbi të ardhmen?

Objektivi im është që, të mundohem të fitoj sa më shumë kampionate dhe trofe me Realin. Në përfundim të etapës sime në këtë klub, do mendoj të rikthehem në Angli apo Itali.
Kur mendoni se do largoheni nga madrilenët?

Kam edhe dy vite të tjera në kontratën time me këtë klub. Familja ime dhe unë jemi të kënaqur që kemi një stabilitet, i cili na mungonte prej kohësh. Për momentin, jemi shumë të lumtur për jetën në Madrid.

Si ju bindi Perezi për t’iu marrë te Reali?

Unë jam i dashuruar me Interin, por Florentino më joshi me projektin dhe mentalitetin e tij. Më bindën. Florentino më tha se kishte nevojë për mua. Drejtimi i Realit të Madridit ka qenë dhe do vazhdojë të jetë puna më e vështirë e gjithë karrierës sime.

Keni menduar ndonjëherë për të ndryshuar stilin e lojës?

Mua më pëlqen loja e Realit. Nuk më pëlqen mënyra e të luajturit me zotërim të gjatë të topit. Unë jam i idesë për një futboll direkt, dinamik, të shpejtë dhe me përplasje të forta. Më pëlqejnë futbollistë që janë gjithmonë në gjendje të mirë psikologjike, fizike dhe me teknikë. Më pëlqen ajo që bën ekipi im.

Si është raporti juaj me futbollistët?

Iker më tha: “Gjatë kampionatit ka pasur momente ku kemi qenë shumë nën presion dhe ti ke qenë i ashpër me ne”. Të dy qeshëm. Ai e di se çfarë doja të fitoja unë nga ajo sjellje. Ka të bëjë me motivimin e lojtarëve. Pas eliminimit nga Bajerni, kam qenë më i dashur dhe i qetë. U thashë futbollistëve: “Rrini të qetë, kemi fituar kampionatin”. Gjithmonë duhet të nxjerrësh maksimumin e tyre.

A jeni duke kërkuar një portier tjetër për sezonin e ardhshëm?

Adan nuk do vazhdojë të jetë pjesë e skuadrës. E admiroj ambicien e tij. Më ka thënë: “Më pëlqen shumë të qëndroj te Reali, por kam dëshirë të madhe për të luajtur”. Detyra ime është që ta bind atë për të qëndruar dhe i kam kërkuar ndihmë edhe Ikerinit. Të shohim…

Jeni një trajner që kritikoheni shpesh. A ndikojnë ato tek ju?

Nuk më shqetësojnë. Më dhemb vetëm nëse e lexojnë fëmijët e mi dhe ka pasur raste që më kanë thënë: “babi, pse thonë kështu për ty?”. Mundohem që gjithnjë t’i qetësoj.

Çfarë përshtypje keni për Pepen, duke qenë se jo pak herë është shndërruar në personazh negativ…

Ai zhvilloi një sezon të jashtëzakonshëm. Ka dyfish më shumë energji se të tjerët. Shumë lojtarë duan të ikin në Angli apo Itali kur kërkohen në merkato, por ai ka zgjedhur gjithmonë Realin dhe më vjen mirë për këtë.

Cili është sekreti i përmirësimit të Benzemasë?

Përgjegjësia më e madhe është e tija, pasi ka punuar shumë. Më vjen mirë që ka arritur në një nivel të tillë dhe bën diferencën në fushë.

A do largohet Higuain?

Jo. Edhe nëse ofrojnë 60 milionë euro për kartonin e tij, unë nuk do e shisja. Dyshja ime e sulmit për sezonin e ardhshëm është sërish Benzema- Higuain dhe nuk kam arsye për ta ndryshuar.