e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

'Mos me krahasoni me Pep Guardiolen'

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
'Mos me krahasoni me Pep Guardiolen'
Pasi u shpall si pasuesi i Pep Guardiolës, në prill, ish-asistenti i Barcelonës zyrtarisht nënshkruan kontratën si trajner të ri dhe i përhershëm i klubit katalanas, por hedh poshtë krahasimet me paraardhësin e tij. Tito Vilanova nënshkroi të premten një kontratë dyvjeçare me gjigantin spanjoll, për të marrë përsipër zyrtarisht stolin e lënë bosh nga largimi i Pep Guardiolës. Ulja e tij në pankinën e Barcelonës u shpall që në prill, ditën kur Guardiola, i cili fitoi 14 trofe me “Los Cules” dha dorëheqjen. Nuk vonuan drejtuesit katalanas, por në atë takim bënë publike edhe vendimmarrjen e tyre, që Vilanova, asistenti i Pep, do të merrte në dorë frenat e Blaugranëve.

Në konferencën për shtyp të së premtes, kur vuri firmën në kontratë, Vilanova falenderoi paraardhësin e tij, Pep Guardiolën, i cili e ka informuar për vendimin e dorëheqjes pas humbjes në “Champions League” ndaj Celsit. Duke folur për “FCB Live”, Vilanova tha: “Unë falënderoj Guardiolën, miku tim, i cili ka qenë pothuajse si një vëlla për mua. Kjo kohë ka qenë një privilegj, që të jem afër tij për 5 vjet. Pas ndeshjes me Celsin, Guardiola më tha se donte të merrte një pushim dhe se klubi do të ma ofronte mua këtë punë, pra rolin e trajnerin të Barcelonës. Së pari, isha i befasuar, sepse nuk kisha dëgjuar asgjë në lidhje me dorëheqjen e tij,  më parë. Më tej klubi ma konfirmoi ofertën. Mora disa ditë për të menduar për këtë.”

Duke qenë se kurrë nuk kishte drejtuar një ekip më parë, Vilanova ka pranuar se është konsultuar edhe me Guardiolën për ta marrë përsipër apo jo drejtimin e Barcelonës. Gjithashtu, Tito Vilanova zbuloi edhe një detaj tjetër, se vendosi të ulej në stolin katalanas vetëm pasi mori garanci të plota se Guardiola nuk do të kalonte në një klub tjetër, por do të bënte pushim absolut për të paktën një vit. “Në qoftë se Pep do të ishte bashkuar me një tjetër ekip gjatë kësaj vere, unë ndoshta nuk do të isha këtu tani”.

Duke reaguar ndaj krahasimeve me njeriun, asistent i të cilit ishte për katër vjet, Vilanova u përpoq ta ndante veten nga Guardiola. “Unë jam këtu vetëm për të bërë punën time. E di se njerëzit kanë filluar të na krahasojnë, por jam i vetëdijshëm se kurrë nuk do të fitoj ato trofe që mori Pep në krye të Barcelonës në katër vite.”

Trajneri i ri i Barcelonës ka premtuar gjithashtu se do të bëjë shumë pak ndryshime në skuadër, duke vijuar në rrugën e Guardiolës, i cili ka transformuar formacionin dhe filozofinë e lojës së skuadrës nga “Camp Nou”, të asaj që konsiderohet më e mira e të gjitha kohërave.

“Nuk do të bëjë shumë ndryshime në skuadër. Alvesh do të qëndrojë, kjo është e qartë. I konsideroj vetëm thashetheme zërat që e shohin mbrojtësin brazilian larg Barcelonës, ose jashtë planeve të mia. Ai ka qenë një  nga transferimet më të mira të Barcelonës gjatë viteve të fundit. Edhe me Keitën situata është e njëjtë: nëse ai dëshiron, do të qëndroj.”