Miratohet TAP, hapet rruga e shpronesimeve
Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Ashtu si për vendimet e tjera për gazsjellësin TAP, Shqipëria ka miratuar e para planin sektorial të projektit. Ky plan, i cili u miratua në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Territorit nën drejtimin e kryeministrit Berisha, i hap rrugë fazës përgatitore të punimeve, kryesisht shpronësimeve. Në këtë mbledhje u miratuan edhe projektet për ndërtimin e disa HEC-ve dhe lejet zhvillimore komplekse për prodhimin e hidrokarbureve nga ‘Bankers Petrolium’.
Gazsjellësi TAP
Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) është një projekt rajonal i gazit natyror, i cili do të transportojë gaz natyror nga rezerva e fushës ‘Shah Deniz’ në Azerbajxhan, duke kaluar përmes Greqisë, Shqipërisë, detit Adriatik dhe do të dalë në breg në Italinë e Jugut dhe më tej në tregjet europiane. Gjurma e TAP-it do të jetë afërsisht 870 kilometra e gjatë (përafërsisht: Greqi 548 km; Shqipëri 209 km; seksioni detar në detin Adriatik 105 km; Itali 4 km). Pika më e lartë e gazsjellësit TAP do të jetë 1800 metra në malet e Shqipërisë, ndërsa pika e tij më e thellë në seksionin detar do të jetë 810 metra nën nivelin e detit.
Gazsjellësi është projektuar për të zgjeruar kapacitetin e transportit nga 10 në 20 miliardë metër kub gaz natyror në vit, në varësi të prodhimit. TAP është projekti i parë, i cili do të mundësojë kalimin tranzit të gazit natyror përmes territorit shqiptar dhe do të krijojë mundësinë e furnizimit me gaz natyror të tregut shqiptar. Projekti TAP do të jetë një nga investimet e huaja të drejtpërdrejta më të mëdha në Shqipëri dhe si i tillë do të gjenerojë përfitime të konsiderueshme dhe perspektiva për industrinë shqiptare dhe komunitetet lokale. “Për herë të parë në histori, peshku i madh nuk ha të voglin dhe TAP fillon me 40 miliardë dollarë investim fillestar”, – tha Berisha dje gjatë mbledhjes, duke kujtuar se projekti rival i TAP, Nabucco kishte mbështetje të madhe politike. TAP kalon në territorin shqiptar në të paktën 200 km. Sipas një studimi të Oksfordit, ai gjeneron për Shqipërinë rreth 150 milionë dollarë të ardhura në vit. Por në ndërtimin e tij, duke filluar nga shpronësimet deri tek punësimet janë dhjetëra, mijëra familje shqiptare që përfitojnë në të gjitha aspektet. Në trajektoren e tij do të ndërtohen shumë biznese mbështetëse. TAP fillon vitin e ardhshëm ndërtimin dhe përfundon në 2018 dhe në 2019, Shqipëria merr gazin e parë.
HEC-et
Po dje KKT miratoi edhe projektet për zhvillimin e të paktën 10 hidrocentraleve, të cilat tashmë i kanë kaluar procedurat e koncesionit. Një investim prej 16 miliardë lekësh do të përfshihet në kompleksin hidroenergjetik të Currajve që është i kompozuar nga 11 HEC – e, me fuqi të instaluar 105 milionë kË. Është miratuar edhe leje zhvillimore komplekse për ndërtimin e hidrocentralit Lengarica 1 dhe Lengarica 2, në komunën Petran, rrethi Përmet me një me vlerë 1.9 miliardë lekë, që do të ketë një fuqi të instaluar 8.94 megavat dhe prodhim vjetor të energjisë elektrike prej 36 milionë kilovat/orë. Po kështu KKT-ja miratoi planet e zhvillimit të përgjithshëm për disa bashki dhe komuna.
Projektet e miratuara
1. Plani Kombëtar Sektorial për Gazsjellësin Trans Adriatik (projekti TAP)
2. Plani i integruar sektorial për zonat e vendburimeve Ballsh-Hekal, Cakran-Mollaj, Gorisht-Kocul dhe vendburimin e Delvinë nga Streem OIL dhe Albpetrol.
3. Leje zhvillimore komplekse për zhvillimin e prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin Patos- Marinzë, të shoqërisë Bankers Petroleum Albania.
4. Leje zhvillimore komplekse për ndërtimin e objektit Shesh Shpimi dhe infrastruktura lidhëse për Pusin Kërkimor 5350, blloku “F”, komuna Topojë, qarku Fier, të shoqërisë Bankers Petroleum Albania.
5. HEC-et Langarica 1 dhe Langarica 2, në komunën Petran, rrethi Përmet, investim me vlerë 1 980 904 000 lekë, do të ketë një fuqi të instaluar 8.94 megavat
6. -Kompleksi hidroenergjetik i Currajve është i kompozuar nga 11 HEC – e, me fuqi të instaluar 105 193 kË. Kaskada Curraj ndodhet në rrethin e Tropojës me vlerë investimi 16,594,599,800 lekë.
7. Ndërtimi ie hidrocentralit Tuçep 2, në komunën Ostren, qarku Dibër, për shoqërinë “Duka T2” sh.p.k. me vlerë 166 000 000 lekë,
8. HEC-i “Orenja Poëer” sh.p.k. investim me vlerë 116, 596, 402 lekë, përbëhet nga tetë hidrocentrale të vegjël, me të instaluar prej 16.72 kË dhe prodhim vjetor 76 milionë kilovat/orë.
9. HEC-et Strelca1, Strelca2, Strelca3 në komunën Gorë, qarku Korçë, për shoqërinë “Strelca Energy” sh.p.k. investimi 697 milionë lekë me fuqi 8.3 megavat.
10-HEC- Kolosian, me prodhim vjetor 2.5-3 milionë kilovat/orë.
11. HEC- Trebinjë, në pellgun e Trebishtit, qarku Dibër.
12. Leje zhvillimore komplekse për “Ndërtim & rikonstruksion i repartit RENEA në Yzberisht, komuna Kashar, qarku Tiranë”
13. Leje zhvillimore komplekse për ndërtimin e vend depozitimit të mbetjeve të ngurta në Maliq, qark Korçë.
14. Plani i përgjithshëm vendor komuna Ishëm, qarku Durrës.
15. Plani i përgjithshëm vendor bashkia Shkodër, qarku Shkodër.
16. Plani i përgjithshëm vendor komuna Synej, qarku Tiranë.
17. Plani përgjithshëm vendor bashkia Gjirokastër, qarku Gjirokastër.
18. Plani i përgjithshëm vendor komuna Pezë, qarku Tiranë.