e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Meta: Kushtetuta te kthehet aty ku ishte, ja kush na votoi

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Meta: Kushtetuta te kthehet aty ku ishte, ja kush na votoi

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta thotë se Kushtetuta duhet të rikthehet aty ku ishte. Por për realizimin e këtij objektivi, ai pohon se do të duhet edhe konsensusi i opozitës së re. I ftuar në emisionin “Nga A te ZH” në “Agon Channel”,  Meta thotë se nuk i ka pranuar asnjëherë ndryshimet kushtetuese të vitit 2008. Teksa tregon një bisedë me Berishën për këtë çështje në vitin 2009, Meta thotë me bindje se Kushtetuta duhet të rikthehet aty ku ishte. I pyetur nga gazetarja Menada Zaimi për këtë çështje, kryetari i LSI-së premton se një korrektim të tillë do ta kërkojë gjithmonë.

“Unë këtë e kam kërkuar edhe në vitin 2009, por në atë kohë z. Berisha më ka thënë në mënyrë të qartë që nuk ishte dakord, pasi ai vetë kishte miratuar ndryshimet e bëra. Nuk mjafton vetëm bashkëpunimi me z. Rama për këtë gjë. Duhet edhe konsensusi me opozitën për ndryshimet kushtetuese”,-tha Meta. Edhe pse e ka sqaruar disa herë rezultatin e LSI-në në zgjedhjet e 23 qershorit, Meta i është rikthyer sërish kësaj çështjeje. Ai ia atribuon suksesin e partisë së tij votës së mençur dhe fushatës pozitive që bëri Lëvizja Socialiste për Integrim. Por a mori LSI votën pragmatiste? “Mendoj se ishte një votë e mençur, edhe pragmatiste qoftë, sepse unë nuk e marr asnjëherë në sens negativ, përkundrazi. Ishte një votë e mençur, sepse njerëzit donin një stabilitet dhe së dyti, cila ishte ajo parti që do të thoja unë bëri fushatën më pozitive? Ishte LSI-ja”,-përgjigjet Meta.

Ai shton më tej se shqiptarët kanë vlerësuar përpjekjet e LSI-së për votimin e ligjeve të integrimit, por edhe e kanë cilësuar këtë forcë politike si faktor stabiliteti. “Ne kemi qenë tepër konkretë edhe në programin tonë, nuk jemi marrë me 100 çështje në fushatë, pavarësisht se program kemi pasur për çdo fushë. Kemi kapur problemin e ristrukturimit të ekonomisë për të garantuar rritje të qëndrueshme dhe problemin e punësimit, se si çdo politikë duhet vënë në funksion të rritjes së punësimit në vend”,-argumenton ai. I pyetur se pse LSI nuk u ndëshkua nga qytetarët, duke qenë për 4 vjet në aleancë me PD-në, Meta hodhi poshtë teoritë që lidhen me 20 % të pushtetit.

“Njerëzit kanë qenë tepër racionalë. Së pari, LSI-a nuk ka pasur lidershipin e qeverisë. LSI-a ka treguar përgjegjësitë e saj, ka marrë edhe kostot”,-tha ai, duke shtuar se pushteti real ishte 99 % në duart e Partisë Demokratike. E ardhmja në pushtet me PS-në është parë me nota pozitive nga Meta, i cili sërish nuk ka preferuar të ndajë me publikun detaje nga qeveria e re. A parashikon një ndarje përgjatë qeverisjes? “Besoj se ju do të zhgënjeheni. Ne mendojmë të fillojmë një histori të re pa fshirë historinë e deritanishme tonën, e të gjithë politikës shqiptare dhe të gjithë vendit. Një histori të re që ndërtohet mbi përgjegjshmërinë, bashkëpunimin, konsensusin, gjithëpërfshirjen. Një histori me të gjithë qytetarët e Shqipërisë”,- u përgjigj Meta. Kryetari i LSI-së foli më tej edhe për programin e dy partive, duke premtuar se do të punohet çdo ditë që njerëzit ta prekin ndryshimin.