e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Skandali i spiunazhit, bisedime BE-SHBA per metodat amerikane

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Skandali i spiunazhit, bisedime BE-SHBA per metodat amerikane

Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe vende të tjera pritet të mbajnë së shpejti bisedime mbi taktikat amerikane të survejimit që përfshijnë spiunazhin e aleatëve të tyre europianë. Pas raportimit në “Der Spiegel” se SHBA kishte përgjuar zyrat qendrore të BE-së në Bruksel dhe Uashington, si dhe Kombet e Bashkuara, bazuar në një dokument sekret që iu dorëzua kësaj redaksie nga rrjedhësi i sekreteve Eduard Snouden, Presidenti Obama dhe Kancelarja gjermane Angela Merkel kanë diskutuar në telefon të mërkurën, sipas Shtëpisë së Bardhë. “Presidenti ka siguruar Kancelaren se Shtetet e Bashkuara i marrin seriozisht shqetësimet e partnerëve dhe aleatëve europianë”, njoftohet nga Shtëpia e Bardhë.

Obama dhe Merkel ranë dakord për një takim të nivelit të lartë të oficerëve të sigurisë së SHBA-ve dhe Gjermanisë në ditët e ardhshme”, për të diskutuar survejimin e zbuluar në sekretet e nxjerra nga ish-kontraktori i NSA-së dhe CIA-s, Eduard Snouden. Obama dhe Merkel “riafirmuan rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë në çështje sigurie dhe shërbimeve sekrete reciproke në luftën kundër terrorizmit dhe kërcënime të tjera”, njoftoi Shtëpia e Bardhë. Takimi mes zyrtarëve të lartë nga të dyja palët mund të mbahet më 8 korrik. Përkundër kërcënimeve nga Presidenti francez Holande mbi anulimin e një pakti shumëmiliardësh, “Obama dhe Merkel kanë theksuar një mbështetje të fortë për nisjen e negociatave të tregtisë transatlantike dhe partneritetit në investime”.