e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Miranda: Interi ska frikë askënd, vendi i tretë nuk është utopi

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Miranda: Interi ska frikë askënd, vendi i tretë nuk është utopi

Vendi i tretë është një mision më se i arritshëm për Zhoao Mirandën. mirandaMbrojtësi brazilian i Interit, gjatë një interviste që dha dje në "Inter Channel" në programin "Inter Nos", tregoi se pas fitores përballë Juves i beson edhe më shumë objektivit të fundit sezonal.

Përveç temave aktuale, braziliani u shoi kureshtjen gazetarëve, duke iu përgjigjur edhe disa pyetjeve, që kishin si qëllim të zbulonin diçka më shumë rreth jetës së tij private.

A mendoni se mund ta mbyllni kampionatin në vendin e tretë?

Po, jemi ende në garë për atë pozicion. Do të jetë shumë e vështirë, por ne do të mundohemi. Përballë Juventusit, skuadra tregoi se është e aftë që të bëjë gjithçka. Nuk kemi frikë askënd, duhet të luajmë me krenari, kurajë dhe shpirt luftarak, ashtu siç bëmë përballë piemontezëve.

Sa ju ka ndihmuar dueli i kthimit me Juventusin?

Them se shumë. Nëse luajtëm ashtu kundër Juves, atëherë mund të bëjmë të njëjtën gjë përballë çdo rivaleje. Secili prej nesh duhet që të luajë në maksimumin e vet.

Pas disa muajsh në Milano, si jeni ambientuar me futbollin që luhet këtu?

Këtu në Itali ndihem mjaft mirë. Të gjithë tifozët, jo vetëm interistët, janë mjaft të sjellshëm me mua. Sa herë më ndeshin rrugës, më bëjnë komplimentet e tyre.

Po me Interin në veçanti, çfarë marrëdhënie keni?

Speciale, që në momentin e parë të gjithë më kanë trajtuar me shumë respekt. Unë i luaj të gjitha ndeshjet duke u impenjuar në maksimum për këtë fanellë.

Kush janë shokët e ekipit, me të cilët shkoni më mirë?

Në përgjithësi shkoj mjaft mirë me të gjithë shokët e ekipit, edhe pse në veçanti kam raport mjaft të mirë me brazilianët.

Tek Interi keni fatin që keni gjetur një trajner si Roberto Mançini?

Është një trajner që më ka ndihmuar shumë si lojtar, pasi është një person me shumë karakter. Atij i pëlqen loja e bukur dhe ne prandaj tentojmë që të fitojmë nëpërmjet saj. Unë do të jap gjithmonë e më shumë për trajnerin në fushë. Ai ka bërë shumë për mua, prandaj dua që t'ia shpërblej në mënyrën më të mirë besimin.

Si ndiheni me Murijon si koleg reparti?

Është një lojtar i madh, pasi është shumë i ri dhe punon shumë. Mendoj se brenda 2-3 vitesh do të jetë njëri prej qendërmbrojtësve më të mirë në Europë.

Po thoni fjalë të forta për kolegun tuaj?

Punon shumë dhe kërkon gjithmonë që të përmirësohet. Ka kualitetin e duhur për të mos qenë i dyti i askujt. Le të prekim pak jetën tuaj personale. Kur keni qenë i vogël, keni pasur pasion vetëm futbollin? Kur isha i vogël më pëlqente shumë Formula 1. Isha tifoz i çmendur i Airton Senës.

A shikonit futboll në moshë të re?

Po, shikoja. Isha tifoz i San Paolos.

Kush ishte idhulli juaj?

Në futboll më pëlqente shumë Ronaldo.

E takuat kur erdhi në Milano për të ndjekur ndeshjen Inter-Sampdoria?

Po e takova, madje edhe darkuam së bashku në një restorant këtu në Milano.

Në fund, si mund të na e përshkruani "San Siro"-n?

Ka diçka speciale në këtë stadium. Është shumë i bukur. Është një impiant historik. Të gjithë lojtarët që vijnë këtu për të luajtur me ne, i gëzohen shumë këtij ambienti.

Të dielën Interi luan kundër Palermos...

Shpresoj shumë që të luajmë ashtu siç luajtëm përballë Juves. Duhet të luajmë me të njëjtin shpirt luftarak dhe organizim. Nëse luajmë ashtu siç luajtëm kundër Juves, sigurisht që do të fitojmë.

Përgatiti: ALTIN VORPSI