Milano në krizë, Interi dhe Djalli, 231 mln humbje
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Alarm i kuq është ndezur në futbol lin italian për shkak të krizës financiare që ka përfshirë në vitet e fundit klubet më të rëndësishme.
Ish-kampionati më i bukur në botë ka humbur 365 milionë euro në sezonin 2014-'15, ndërsa në sezonin e falimentimit të Parmës, humbjet kanë qenë 220 milionë euro.
Ky përkeqësim bën akoma më shumë përshtypje nëse mendohet se në përllogaritjet e përgjithshme mungon pikërisht klubi verdheblu, që ka falimentuar dhe për rrjedhojë nuk ka qenë i detyruar të publikojë dokumentet që kanë pasur lidhje me financat.
Ajo që bie në sy nga hetimi i së përditshmes italiane "Gazzetta dello Sport" është se kemi të bëjmë me një kampionat buzë greminës jo vetëm për sa i takon aspektit sportiv, pa "Topa të Artë" dhe kupa ndërkombëtare, por edhe të paaftë për të ndërmarrë rrugën e ekuilibrit ekonomik.
Hyrjet dhe daljet - Në vitet e fundit të ardhurat kanë qenë të qëndrueshme, madje kanë pësuar një rritje të lehtë (1,84 miliardë, 40 milionë më shumë se në sezonin 2013-'14), kryesisht falë shitjes së të drejtave televizive, që përfaqësojnë 60% të të ardhurave.
Por, situata është përkeqësuar për shkak të rritjes së kostove me rreth njëqind milionë euro (2,4 miliardë euro, gjysma shkon për rrogat) dhe uljes së suficitit për rreth njëqind milionë të tjerë.
Për ta kompletuar këtë panoramë, duhen shtuar edhe efektet negative që kanë ardhur nga vendimi i Federatës Italianë për t'i dhënë fund bashkëpronësisë së lojtarëve. Kjo është llogaria ekonomike, ku realiteti maskohet shpesh nga marrëveshje për shitjen e markës dhe duke fryrë vlerat e futbollistëve.
Më pas është arka, ajo që administratorët e deleguar e shikojnë me vëmendje duke zbuluar, në shumicën e rasteve, se është e boshatisur. Kjo konfirmohet nga borxhet që nuk po japin asnjë shenjë ngadalësimi.
Shumë borxhe - Nëse përjashtohet Parma, e cila ka përfunduar në greminë nga borxhet, borxhi neto i Serisë A është rritur në sezonin e kaluar me 100 milionë euro të tjerë, nga 1.6 në 1,7 miliardë.
Roma dhe Inter kanë bërë një ristrukturim të borxhit, duke ndjekur shembullin e familjes Glazer te Mançester Junajtid dhe kjo situatë duhet të jetë shumë shqetësuese për tifozët e dy skuadrave: të mirat e zikaltërve dhe verdhekuqve zotërohen nga bankat.
Edhe pse duhet pranuar se në të kaluarën futbolli italian nuk ka qenë një shembull për t'u ndjekur për sa i takon aspektit financiar, por tani situata është përkeqë- suar ndjeshëm për shkak se mungojnë kapitalet.
Inter - Në pesë sezonet e fundit Interi ka akumuluar 502 milionë euro humbje. Edhe sezonet e para të presidencës së Erik Tohirit kanë qenë të vështira për shkak të mungesës së Championsit. Mirëpo, me hyrjen e kapitalit të freskët nga shitja e klubit, borxhi i zikaltërve është reduktuar në 140 milionë euro. Interi është klubi që ka regjistruar më shumë humbje në Itali.
Milan - Menjëherë pas Interit, klubi tjetër i Milanos pozicionohet në vendin e dytë për sa u përket humbjeve. Dy sezonet e fundit, në të cilat Milani nuk ka marrë pjesë në kompeticionet europiane, kanë qenë "vrasëse" për arkat e klubit. Deficiti i kuqezinjve është 91 milionë euro. Kujtojmë se Berluskoni gjatë verës investoi në merkato 96 milionë euro dhe një tjetër sezon pa Europë, për arkat e Milanit do të ishte shkatërrimtare.
Roma - Hyrja e kapitalit nga ana e presidencës amerikane ka përmirësuar situatën, por edhe viti i katërt është mbyllur me një humbje prej 41 milionë eurosh. Rindërtimi i Romës u ka kushtuar shumë drejtuesve financiarisht, teksa vërejmë se vetëm në sezonin e fundit është rritur me 32% kapitali i pagave vjetore.