e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Milan, dalin në skenë Kapelo e Lipi, Sinisha: Nuk iki!

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Milan, dalin në skenë Kapelo e Lipi, Sinisha: Nuk iki!

Ka nisur me tension dita e djeshme e pushimit që trajneri Sinisha Mihajloviç i kishte lejuar vetes dhe skuadrës, duke qenë se në mbrëmjen e të hënës kishin qarkulluar zërat se Silvio Berluskoni është rikthyer të sulmojë serbin, pas humbjes me Sasuolon.mihajlovic Madje, në të njëjtën kohë, u spekulua se disfata e fundit mund të kishte qenë edhe "gijotina" për Mihajloviçin, me "ekzekutuesin" e tij, Euzebio Di Françesko, në "poleposition" për ta zëvendësuar, duke qenë se presidenti i kuqezinjve ka kohë që shpreh një simpati për strategun e Sasuolos, i cili shpalos në fushë ideologjinë e lojës që i pëlqen Berluskonit.

Gjithsesi, kjo nuk është e vetmja pistë që po shqyrtohet në kryesinë e klubit të Milanit, sepse Roberto Donadoni është gjithashtu një kandidat i fortë, ndonëse, duke parë situatën ku po noton kjo skuadër, fryma e grupit drejtues të "Djallit" këmbëngul për një trajner me eksperiencë, me horizont të gjerë, siç janë Fabio Kapelo, apo edhe Marçelo Lipi.

Fabio Kapelo - Për "Don Fabion", i cili së fundmi ka nënvizuar se e ka mbyllur karrierën e tij si trajner, mund të jetë pikërisht një telefonatë e Silvio Berluskonit për t'i ndryshuar idenë, që 69- vjeçari të rikthehet të stërvisë.

Për të do të ishte aventura e pestë në krye të kuqezinjve, pas asaj si trajner i të rinjve në vitet 1982-1986, si trajner i ekipit të parë në 6 javët e fundit të sezonit 1986-1987 (zëvendësoi në stol të shkarkuarin Nils Liedholm), aventurës së plotë dhe trimfuese në vitet 1991-1996, ku zëvendësoi Arrigo Sakin, dhe rikthimi të shkurtër njëvjeçar në sezonin 1997-1998, ku Milani regjistroi një sezon të falimentuar, duke mbyllur kampionatin në vendin e 10-të, i cili nuk linte shkak përveçse largimin e Kapelos nga stoli.

Media italiane nënvizon se në orët e fundit, ndërsa "Don Fabio" është i impenjuar në rolin e analistit në rrjetin "Fox Sport", Silvio Berluskoni ka telefonuar atë dhe i ka ofruar marrjen e drejtimit të skuadrës, me Pierfilipon, djalin, avokatin dhe njëkohësisht menaxherin e Fabio Kapelos, i cili nuk përgënjeshtron: "Unë nuk di gjë që Silvio Berluskoni mund të ketë telefonuar babanë tim, por edhe pse mbuloj rolin e menaxherit të tij, nuk është e thënë që unë duhet të di gjithçka".

Marçelo Lipi - Së fundmi, sa herë që gjërat shkojnë keq te Milani, "kamerdarja" e shpëtimit të skuadrës mban emrin e Marçelo Lipit, i cili këtë sezon ka qenë disa herë pranë marrjes së drejtimit të skuadrës, nëse nuk do të kishte qenë Adriano Galiani që të shërbente si mburojë e Sinisha Mihajloviçit, pas breshërisë së akuzave dhe urdhrave të mbetur në tentativë për shkarkimin e serbit.

Por, në lidhje me mundësinë e marrjes së drejtimit të Milanit, ish-trajneri i Italisë nënvizon: "Së fundmi, nuk kam pasur kontakte me askënd, ndonëse nuk e mohoj se në muajt e kaluar kemi biseduar shpesh me drejtuesit e Milanit për një bashkëpunim. Gjithsesi, për momentin unë shoh se skuadra është e gjitha me Mihajloviçin, ndaj nuk mendoj se ka një mundësi që unë të zëvendësoj Sinishën në stolin e skuadrës kuqezi". Me pak fjalë, edhe me Lipin diçka po lëviz mbrapa, ndonëse për momentin situata duket e ngrirë.

Sinisha Mihajloviç - Gjithsesi, me ose pa lëvizje në prapaskena, ai që duket se nuk ka ndër mend që të lëshojë postin e tij është vetë trajneri i Milanit, Sinisha Mihajloviç, i cili, në një intervistë telefonike me gazetarët e "Milan-Channel", nënvizon se nuk është i trembur nga zërat e fundit:

"Duhej të më shqetësonit me zor edhe në ditën time të pushimit, - bën hyrjen e tij në intervistë 47- vjeçari, duke qeshur. - Këto dy të fundit nuk kanë qenë net të qeta për mua, në të cilat kam fjetur fare pak, sepse probleme vazhdojmë të kemi, sidomos në fazën sulmuese.

Prandaj, mendimet e mia dhe detyra ime është që të përgatis sa më mirë ndeshjen e ardhshme me Kievon. Idetë nuk më mungojnë, çështja është që t'i zbatojmë në fushë siç duhet ato, - shpjegon Sinisha, i cili nuk ka dyshime se kërkon të vazhdojë te Milani. - Unë të largohem? Jo, sepse ku mund të punosh më mirë sesa te Milani?! Jam i lumtur këtu dhe nuk do resht kurrë së falënderuari presidentin Berluskoni dhe administratorin Galiani për mundësinë që më kanë dhënë.

E di që rezultatet nuk na lejojnë që të jemi të gjithë të lumtur, por unë e kam ndërgjegjen e pastër në lidhje me gjërat që kam bërë, prandaj unë eci përpara me kokën lart. Më vjen gjithashtu shumë keq se mjaftoi një humbje për të rikthyer edhe një herë zërat mbi një shkarkim timin, pas dy muajsh pozitivë, ndonëse unë në këtë botë dhe në jetën time kam dy parime: B... dhe fjala ime janë gjërat që respektoj, të vetmet gjëra që nuk shes në jetën time.

Sepse pikësëpari jam një burrë, më pas një trajner. Kush nuk beson le të marrë informacione te presidentët e tjerë që kam pasur në karrierë përpara Milanit. Prandaj, edhe në këtë klub ku punoj aktualisht, të gjithë mund të vënë në diskutim cilësitë e mia si trajner, por askush nuk mund të guxojë të më diskutojë si burrë. Unë jam totalisht i përqendruar te kampionati dhe lufta për t'u ngjitur sa më lart, ashtu sikurse te fitorja e Kupës së Italisë".