E Enjte, 19 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Mici, i bindur: Kapim vendin e tretë dhe marrim Kupën

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Mici, i bindur: Kapim vendin e tretë dhe marrim Kupën

Pozicioni në të cilin ndodhet aktualisht skuadra e Kukësit, nuk i jep shumë mundësi për të gabuar. Kështu që skuadra e Duros është "e dënuar" për të fituar në sfidën ndaj Vllaznisë në transfertë. kukesi miciMbrojtësi i majtë i verilindorëve, Gledi Mici, në një intervistë për "Panorama Sport" ka folur në lidhje me vështirësinë që paraqet kjo përballje dhe objektivin e ekipit të tij për të fituar.

Si e parashikoni ndeshjen ndaj Vllaznisë?

Do të jetë një takim me koeficient vështirësie të lartë, pasi Vllaznia është në një pozitë jo të mirë në renditje dhe i duhen patjetër pikët. Por, edhe neve na nevojitet fitorja për të arritur vendin e tretë në klasifikim dhe kjo do të bëjë që në fushë të luhet një sfidë e bukur. Me vajtjen e Cungut në krye të shkodranëve ata janë një ekip më i mirë, pasi dihen vlerat e trajnerit.

Shpresoni te një ndalesë e Tiranës në derbin ndaj Partizanit për t'ju afruar në klasifikim?

Ne shohim vetëm punën tonë dhe jemi të përqendruar te ndeshjet tona. Çfarë bëjnë ekipet e tjera nuk na intereson. Di të them që gara për vendin e tretë do të jetë mjaft e fortë, por unë jam i bindur se në fund do të jemi ne ata që do ta fitojmë.

Presidenti Gjici ju ka vënë kusht për të marrë katër fitore rresht. Mendoni se do t'i arrini?

Ai kërkon katër fitore, ndërsa ne deri në fund të kampionatit do të mundohemi të triumfojmë në të gjitha takimet. Besoj shumë te cilësitë e skuadrës. Për mendimin tim, Kukësi është bërë një ekip më i fortë dhe paraqitjet kanë qenë mjaft të mirë. Na ka munguar pak fati, por një gjë e tillë nuk është justifikim dhe duhet të mbajmë përgjegjësi. Megjithatë, në fund jam i bindur se do të arrijmë të jemi të suksesshëm.

Një vit më parë, Kukësi ka luajtur për titullin kampion, ndërsa këtë sezon ka si objektiv vendin e tretë...

Këtë vit kemi gabuar shumë në dy fazat e para të kampionatit, ku kemi lënë shumë pikë, pasi nuk arritëm që të fitonim ndeshjet jashtë fushe. Shpresoj dhe dëshiroj shumë që në këtë sezon futbollistik të fitojmë një trofe dhe gjithashtu të renditemi në vendin e tretë në klasifikim.

Do të preferonit ish-ekipin tuaj, Flamurtari, në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë?

Po, e dua Flamurtarin dhe nëse do ta kem përballë, do ta mund. Një gjë të tillë e kam konfirmuar edhe më parë.

Cilat janë synimet personale të Micit?

Ta mbyllim me sukses këtë sezon futbollistik, duke arritur vendin e tretë dhe fituar Kupën e Shqipërisë. Ka ardhur koha që Kukësi të marrë një trofe dhe ne jemi të vendosur për ta bërë realitet një gjë të tillë. Presidenti dhe tifozët e Kukësit e meritojnë që të festojnë një Kupë.

Përgatiti: Skerdilaid Sulozeqi