Mëziu lë Korabin: Kam dyshime për shitjen e ndeshjes
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
I zhgënjyer, i mbushur me mllef dhe akuzues. Fehmi Mëziu ishte pa dyshim një prej personazheve më të diskutuar javën e fundit.
Pasi i shpëtoi atentatit në mesjavë, dje ka ardhur vendimi surprizë. Mëziu ka dhënë dorëheqjen nga posti i presidentit të Korabit. Në ndihmë të klubit që prej vitit 2006, në një kohë që nuk është kursyer edhe ndaj mundjes, volejbollit e basketbollit dibran, tashmë Mëziu ka vendosur të japë dorëheqjen e parevokueshme nga posti i kreut të klubit. Prishja e bashkëpunimit me donatorët e tjerë është edhe arsyeja e këtij vendimi.
Në një rrëfim për gazetën "Panorama Sport", presidenti i tregon të gjitha duke hedhur edhe dyshime për shitje të ndeshjes së fundit me Kamzën.
Pse ky vendim surprizë kur jemi në kulmin e kampionatit?
Që në janar kanë nisur krisjet me bashkëpunëtorët e mi në krye të Korabit. Jam munduar t'i qëndroj ekipit afër duke parë atë tifozeri dhe grup djemsh për të mos hapur panik. Por, ndeshje pas ndeshjeje e shihja që nuk kisha ndihmë dhe isha i vetmuar. Erdhi momenti që të vendosja, pasi gjërat nuk mbanin më. Sigurisht, u rëndova paksa edhe në mesjavë, me ato problemet që më ndodhën në lidhje me borxhin ku më sulmuan padrejtësisht, pasi unë i kam shlyer të gjitha detyrimet. Erdhëm në ndeshjen me Kamzën dhe unë prisja ndihmë, por ajo nuk m'u dha. Pashë një ekip të mjeruar dhe Kamza që kërkonte fitoren me çdo kusht ndaj nesh.
Të mbajnë përgjegjësi ata që e kanë shitur.Mendoni se ndeshja me Kamzën ka qenë e shitur?
Tifozeria ka qenë shumë e irrituar dhe ka hedhur akuza. Ishte një ndeshje që të lë shumë për të dyshuar. Pikërisht për këtë unë dhashë dorëheqjen për të mos u bërë pjesë e këtyre njerëzve të kë- qij që fusin hundët kudo. Mirë që nuk më ndihmuan, por tani po prishin edhe punë.
Kush janë bashkëpunëtorët me të cilët keni pasur probleme?
Për momentin nuk dua të nxjerr emra, por ato do të dalin me kohën. Kjo është një padrejtësi që i bëhet ekipit të Korabit.
Keni kontaktuar me lojtarët, çfarë u keni thënë?
Sot (dje) i kam takuar dhe u kam thënë se nga ky moment nuk do të jem më pjesë e Korabit. U thashë se do ta gjej atë person që ndikoi që të mundeshim në ndeshjen me Kamzën. Unë nuk i vendos askujt gishtin, por për mua është e turpshme ajo çfarë ka ndodhur.
Dorëheqja është e parevokueshme apo mund të ketë kthim mbrapa?
Jo, nuk ka asnjë kthim mbrapa, pasi vendimin e kam marrë me dëshirën time më të plotë. Kontributi im për këtë klub është shumë i pastër dhe flet qartë. Besoj se dibranët do të dinë të vlerësojnë gjithçka kam bërë për këtë ekip.
Çfarë do të bëni në vazhdim?
Do shoh jetën time normale dhe do mundohem të sponsorizoj për tifozerinë. Do ta ndjek ekipin si një tifoz i thjeshtë dhe do të jem në krah të atyre mijëra që e mbështesin skuadrën në çdo ndeshje. Dhe, për sa i përket kontributit tim deri tani te Korabi, besoj se do të më njihet kur të vijë momenti. Kam bërë gjithçka për ta ndihmuar këtë ekip, por nuk mund të vazhdohej më.
Përgatiti: BESAR BOZGO