Mëziu: Bashkia ka dy vjet që nuk paguan, ka krijuar vetëm armiq
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ish-presidenti i Korabit deri katër javë më parë dhe një prej mbështetësve më të afërt të skuadrës, Fehmi Mëziu, tregon për herë të parë arsyet e vërteta që e shtynë të dorëhiqej nga posti që mbante.
Ai hedh akuza ndaj pushtetit vendor që nuk paguan asnjë qindarkë për klubin prej dy vitesh. Gjithashtu, Mëziu akuzon pushtetin vendor se ka bërë shumë armiq dhe në këtë mënyrë skuadra ka pësuar humbje në ndeshjet e fundit. Ish-presidenti e ka bërë reagimin në faqen zyrtare të klubit në "Facebook".
Reagimi
"Historia ime me Korabin nis që në vitin 2006 duke kontribuar me bazën materiale dhe mbështetjen në shuma të mëdha financiare, gjë për të cilën flasin letrat që ndodhen në zyrat e klubit dhe të bashkisë.
Këtë gjë e kam bërë pa interes dhe asnjë detyrim, por me zemër dhe shpirt për ekipin, duke menduar që një ditë futbolli dibran të arrijë aty ku e ka vendin. Është shumë e vërtetë që bashkia ka 100% aksione, por vitin e kaluar dhe këtë vit nuk ka dhënë asnjë lek në ndihmë të ekipit, le t'i hapin letrat. Jam një president nderi, pasi çdo gjë e bëra pa interes dhe përfitim nga pushteti.
Pas një bashkëpunimi me dashamirës të futbollit dhe objektiv serioz, arritëm që Korabin ta fusim në histori dhe të luhet futboll ndershëm. Ekipi fitoi imunitet dhe forcë nga mbështetja e tifozerisë që erdhi në rritje, saqë u bë faktor në arritjet e rezultateve dhe shembull në shkallët e stadiumit si në qytetin tonë, ashtu edhe në transfertë. Këtë vit e nisëm bukur me një bashkëpunim akoma më të fortë me z.Albert Laçi.
Çdo gjë shkoi mirë deri në janar, kur erdhi krisja mes nesh dhe z.Laçi u largua me motivin që nuk kishte mundësi të kontribuonte më shumë. Merkato nuk ishte cilësore për efekt blerjesh, pasi donatori Albert Laçi dhe bashkia nuk kishin mundësi të kontribuonin dhe akoma sot buxheti është i pamiratuar në Këshillin Bashkiak.
Është një turp më vete, pasi ekipi ka arritur rezultatet maksimale. Që këtu nisën problemet, por falë bashkëpunimit në grup dhe mbështetjes së dashamirësve si z.Musa Rricku, Selim Rusi, Naim Agolli, Faik Bruci, Latif Miha e shumë të tjerë stafi arriti të bëjë më të mirën deri ndeshjen me Kamzën.
Në këtë ndeshje fatura i shkon pushtetit, pasi prishi marrëdhëniet me Bashkinë e Kamzës dhe në ndeshjen KorabiKamza është ofenduar z.Xhelal Mëziu në tribunë me gjithë llojet e fjalëve", thotë fillimisht Mëziu. Më pas, ish-presidenti vazhdon: "Në sfidën me Kamzën, z.Albert Laçi e acaroi akoma më keq gjendjen duke sekuestruar biletat e stadiumit të Kamzës duke përdorur krimin ekonomik. Në këtë mënyrë, kryetari i bashkisë, z.Xhelal Mëziu bëri gjithçka mundi me arbitra dhe skenarë ta ndalojë Korabin.
Pushteti u bë faktor negativ edhe me Burrelin, pasi si një qark i vetëm nuk është në gjendje të bëjë aleat, por bën të kundërtën dhe e detyron Burrelin të bëhet aleat i Kastriotit duke marrë shpërblim që të ndalë Korabin me çdo kusht me arbitra. Unë i kam ndenjur afër Korabit dhe tifozerisë, por nuk mund të vazhdoja më drejtimin me këta persona dhe nga gjithë këto probleme të krijuara në dëm të ekipit. Politika ka shumë punë për të bërë në Dibër dhe duhet të rrijë larg problemeve të futbollit. Forca Korabi, forca tifo-grupi 'Arbërit'", mbyllet reagimi i Fehmi Mëziut.