Meta: Kryeministri i ri i takon PS, si parti e pare e koalicionit
Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Kryetari i LSI shprehet se marrëveshja e Shkodrës me PS-në është tetëvjeçare dhe e qëndrueshme. Mesazhi për Berishën dhe njohja e meritës për mënyrën sesi po ndodh rotacioni.
Z. Meta, mendoni se duhet të kishte dalë z. Berisha për të pranuar rezultatin dhe humbjen?
Unë besoj se po. Duhet të kishte dalë për një deklarim, sepse kjo do t’i shërbente edhe mbylljes sa më të shpejtë të procesit të numërimit dhe do t’i shërbente normalizimit më të shpejtë të jetës politike, sociale dhe institucionale në vend.
Gjatë fushatës i thatë z. Berisha se mund ta merrte karrigen e Kryeministrit me vete, apo jo?
Në kuadër të premtimit të tij se nuk do ta lëshonte karrigen, kjo ishte një mënyrë dhe një kompromis për të respektuar edhe angazhimin e tij, por njëkohësisht edhe për të kaluar në opozitë.
Do ta ndërrojë Kryeministri i ri karrigen e tij?
Kjo është një pyetje që dua t’ia bëni Kryeministrit të ri.
Që mesa duket, nuk ka dilema. Do të jetë z. Rama apo jo?
Kjo është një çështje që i takon Partisë Socialiste, normalisht si parti e parë e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane”.
Cili është roli që keni menduar të luani në legjislaturën e ardhshme?
Nuk kam pasur kohë të mendoj për këtë gjë. Për ne është e rëndësishme që Shqipëria të hyjë në një erë të re të të bërit politikë, të komunikimit publik, të ushtrimit të një përgjegjësie publike në emër të interesit publik, dhe të kemi një qeverisje gjithëpërfshirëse, në kuptimin e angazhimit dhe të vlerësimit të përfshirjes së gjithë atyre që kanë ç’të japin, mendime, ide, kontribute, të grupeve të interesit, pasi mendoj që një frymë arrogance e demonstruar deri tani, padyshim që përjashtoi shumë aktorë, grupe interesi dhe njëkohësisht ndikoi në vendimmarrje jo shumë të mençura dhe afatgjata.
Z. Meta, duket sikur po flisni nga pozita e një kryetari Parlamenti. Sa e vërtetë është kjo?
Unë kam kohë që flas në këtë mënyrë. Të them të vërtetën, nuk do të ishte ndonjë kënaqësi e veçantë të ishe kryetar Parlamenti kur aty mungon një deputet me shumë kontribute, sepse duke qenë lart në atë postin e kryetarit të Kuvendit do të ndihej një mungesë e madhe. Kështu që mund të jetë më mirë të qëndruarit poshtë.
Cili do të jetë funksioni juaj në ekzekutivin e ardhshëm?
Mendoj se kjo nuk është gjëja më e rëndësishme se çfarë do të jem unë apo dikush tjetër. Më e rëndësishme është që ne t’u qëndrojmë besnikërisht votuesve, të cilët besuan vërtet që kjo është një Aleancë për Shqipërinë Europiane. Duhet të punojmë në këtë drejtim. Kemi humbur shumë kohë. Pra të ecim më shpejt.
A do të jeni ju në një post ekzekutiv?
Këtë gjë unë nuk mund ta them dhe nuk është ky prioriteti im, plus që unë nuk jam njeri pa një funksion. Kam një funksion shumë të rëndësishëm, sepse jam kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim.
A keni një mesazh për z. Berisha?
Unë mesazhin e kam dhënë me kohë, që duhej të përkushtohej më shumë për standardin e zgjedhjeve, sepse nuk ka shumë rëndësi sesa mandate merr Partia Demokratike, merr 60 mandate apo 62 mandate. Nuk është kjo trashëgimia që një udhëheqës lë për partinë e tij apo për vendin. Gjëja më e rëndësishme ka qenë dhe mbeten standardet. Megjithatë, unë mendoj se është në kohë që të kontribuojë që i gjithë ky proces të mbyllet me një imazh sa më pozitiv për vendin, në mënyrë që të gjitha ato elemente që krijuan tensione dhe dyshime për standardin e zgjedhjeve të harrohen sa më shpejt dhe në fund fare të mbetet ajo shija pozitive e një ndryshimi dhe e një paqeje sociale në vend.
A ia njihni këtë meritë Berishës sesi po ndodh rotacioni?
Merita më e madhe i takon popullit shqiptar dhe natyrisht, z. Berisha është pjesë e popullit shqiptar.