e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Mbyllet numerimi ne Fier, e majta 6 mandate me shume se e djathta

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Mbyllet numerimi ne Fier, e majta 6 mandate me shume se e djathta

Në Fier Aleanca për Shqipërinë Europiane ka siguruar 11 mandate, ku 9 mandate janë për PS dhe 2 mandate për LSI. Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim ka të siguruara 5 mandate. Brenda koalicioneve mandatet ndahen 4 për PD dhe 1 për PDIU. Deri në kutinë e fundit pretendonte për një mandat në parlament edhe partia e Petro Koçit, PSV 91.

Kjo forcë politike e ceku mandatin një ditë më parë, por me numërimin e kutive të fundit situata ndryshoi, duke i dhënë PS mandatin e 9-të në qarkun e Fierit.Ndërkohë deputeti tashmë i konfirmuar në parlamentin e ardhshëm, Erion Braçe, i treti në qarkun e Fierit, është shprehur se rezultati i vë socialistët para një përgjegjësisë ndaj qytetarëve që i votuan. “Kemi marrë një rezultat në një prej qarqeve më të rëndësishme të Shqipërisë dhe na konfirmon bindshëm si forca më e madhe. Edhe në Fier edhe në mbarë Shqipërinë kemi marrë një rezultat mirë, 84 mandate është një rezultat i frikshëm. Rezultati na vë para një përgjegjësie ndaj qytetarëve që na votuan. Nuk besoj se ka qenë vendimtar fakti se kemi bërë koalicionin. Janë një sërë faktorësh, keqqeverisja e Sali Berishës dhe faktorët me radhë, por dhe faktin se ishim më të organizuar dhe patëm ofertë më të qartë për çdo kategori.

Mbi të gjitha një fushatë pozitive. Nuk u pa në asnjë moment mesazhi negativ”, u shpreh Braçe. I pyetur për rezultatin e aleatit LSI, ai shtoi se ekziston marrëdhënie besimi dhe respekti me gjithë aleatët e PS, natyrisht dhe me LSI-në, që nga këto zgjedhje bindi se është forca e tretë politike në vend. Braçe siguroi se nuk do të heqë dorë nga mandati i tij si deputet edhe nëse i ofrohet një post ministror. Nga 576 qendrat e votimit në qarkun e Fierit, të vetmet ku PD ka rezultuar fituese kanë qenë në komunën Dermenas të Fierit, në Qendër Mallakastër, dhe në komunën Ngracan, ndërsa bashkitë dhe komunat e tjera janë dominuar nga të majtët. Ndërkohë që brenda aleancës së majtë LSI rezulton fituese në komunën Greshnicë. PSV ’91 ka grumbulluar më shumë vota në zonën e Mallakastrës, aq sa të pretendonte edhe një mandat në parlament. Ndërkohë PDIU ka mundur të sigurojë votat e mandatit të saj më shumë në qendrat e votimit në Lushnjë.

Dritan Prifti tërhiqet nga numërimi i kutive të fundit

Dritan Prifti, deputeti i pavarur i qarkut të Fierit, pavarësisht votave që ka marrë në Dërmenas dhe Libofshë, ka vendosur të tërhiqet nga procesi i numërimit duke e konsideruar atë një farsë. Ai shprehet se po tërhiqet për shkak të faktit se, sipas tij, PS dhe LSI i kanë vjedhur mbi 10 mijë vota. “Nuk dua të vazhdoj të jem pjesë e një farse. Në Fier, komisionerët e PS dhe LSI më kanë vjedhur mbi 10 mijë vota, ndërkohë që votat e deklaruara për mua janë vetëm 6 mijë”, tha Prifti. Ai e quajti këtë një ekzekutim politik nga ana e Ilir Metës me dorën e Edi Ramës, duke bërë ndërkaq një akuzë të rëndë ndaj kreut të LSI: “Ai ka tentuar të më ekzekutojë fizikisht përmes rekrutimit të vrasësve me pagesë në Mal të Zi”. Pati njëfarë kontradikte në deklaratën e Priftit, i cili nga njëra anë tha se ka patur presion mbi votuesit, e nga ana tjetër pohoi se ai i ka siguruar mbi 15 mijë vota. Por gjithsesi, Dritan Prifti deklaroi se do të kërkojë nga KQZ rinumërim të të gjitha votave në Fier. Dritan Prifti arriti në këto zgjedhje një kuotë prej 6150 votash, që është konsiderueshëm për një deputet të vetëm, por çka nuk i siguron dot një mandat në parlamentin e ardhshëm.

FIER

PS

Gramoz Ruçi

Eglantina Gjermeni

Erion Braçe
Ilirian Celibashi

Armando Subashi
Ervin Koçi

Pirro Lutaj

Arben Çuko

Majlinda Bufi

LSI

Petrit Vasili

Robert Bitri

PD

Sokol Olldashi

Mesila Doda

Shpëtim Idrizi

Kozma Dashi

PDIU

Omer Mamo