e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Elbasan, numerimi drejt fundit, e majta dhe e djathta ndahen 8 me 6

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Elbasan, numerimi drejt fundit, e majta dhe e djathta ndahen 8 me 6

Koalicioni me Partinë Socialiste duket se ka favorizuar dukshëm Lëvizjen Socialiste për Integrim, e cila ka arritur të sigurojë dy mandate kur mbeten edhe 15 kuti ende të panumëruara. Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme përfundoi procesi i numërimit të votave në qytetin e Elbasanit dhe rrethinat e tij, si dhe në rrethin e Peqinit, që është e vetmja zonë e këtij qarku ku koalicioni i djathtë kryeson me një diferencë të lehtë ndaj së majtës. Sipas të dhënave të KQZ-së, kur mbeten të panumëruara rreth 15 kuti, rezulton se numri i mandateve për qarkun e Elbasanit është 8 me 6 në favor të koalicionit të majtë. Gjithashtu, të favorizuara janë edhe dy parti të koalicionit të djathtë, Partia Republikane dhe Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, të cilat në bazë të votave të marra kanë siguruar tashmë nga një mandat deputeti.

Përkthyer në shifra rezulton se në rang qarku Partia Socialiste ka marrë 70 mijë e 581 vota kundrejt 44 mijë e 663 votave të marra nga Partia Demokratike. Por pas përfundimit të procesit të numërimit në pjesën më të madhe të kutive në këtë qark, pas nuk kanë ngelur as aleatët më të vegjël të dy forcave kryesore politike. Kështu, sipas tabelës së KQZ-së rezulton se Lëvizja Socialiste për Integrim ka marrë 17 mijë e 655 vota, çka përkthehet në dy mandate deputetësh. Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka siguruar 11 mijë e 752 vota, që janë të barazvlefshme me një mandat deputeti. Ndërsa aleati tjetër i Partisë Demokratike, Partia Republikane ka siguruar 6 mijë e 91 vota, numër ky i mjaftueshëm për të çuar një deputet në Kuvendin e ri të Shqipërisë.

Referuar shifrave zyrtare, deputetët e rinj të qarkut të Elbasanit për Partinë Socialiste janë: Ben Blushi, Damian Gjiknuri, Evis Kushi, Alfred Peza, Taulant Balla dhe Musa Ulqini. Dy nga tetë mandatet që ka mundur të sigurojë e majta tashmë i përkasin Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilët janë: Edmond Haxhinasto dhe Bujar Kllogjri. Ndërsa për Partinë Demokratike deputetët e Kuvendit të ri do të jenë: Arben Imami, Eduard Selami, Ardian Turku dhe Luçiano Boçi. Dy mandatet e tjera i përkasin dy aleatëve të PD-së, respektivisht Aqif Rakipi nga PDIU dhe Luan Duzha nga Partia Republikane. Sipas KQZ-së deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme ka vijuar procesi i numërimit në dy rrethe të qarkut të Elbasanit. Gramshi dhe Librazhdi nuk kanë përfunduar ende numërimin e qendrave të votimit, pasi herë pas here gjatë ditës së djeshme ka patur ndërprerje të këtij procesi. Të dhënat tregojnë se në rrethin e Gramshit janë numëruar 61 nga 65 kuti, ku e majta kryeson bindshëm, ndërsa në Librazhd kanë mbetur edhe 21 kuti ende pa numëruar.

Dash Sula mbetet jashtë Parlamentit

Deputeti historik i zonës së Peqinit, Dashamir Sula duket se do të jetë jashtë parlamentit të dalë nga zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit. Edhe pse Sula me mbështetjen e partive aleate ka mundur të fitojë në zonën e tij, në rrethin e Peqinit, sërish ai nuk ka mundur të sigurojë mandatin e deputetit. Sipas listës së kandidatëve për deputet të Partisë Demokratike në qarkun e Elbasanit, Sula është në vendin e pestë, por mandati i tij ka rivalizuar me partinë aleate në koalicion, Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet. Në përballjen me rivalin e tij të majtë, Alfred Peza, Sula ka mundur të sigurojë 4 mijë e 276 vota për Partinë Demokratike, të cilat të bashkuar me votat e PDIU kalojnë votat e grumbulluara nga PS dhe LSI të marra së bashku. Por pavarësisht diferencës së votave në rrethin e tij, deputeti aktual i qarkut të Elbasanit nuk mundi të sigurojë mandatin e deputetit. Dashnor Sula ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë për dy legjislatura me radhë dhe konsiderohej si një nga pikat e forta të PD-së në qarkun e Elbasanit. Sipas KQZ-së pjesëmarrja në votime për këtë qark është 54.5 për qind.

ASHE

Mandate 8

95 243 vota

APMI

Mandate 6

64 799 vota