e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Korca mbyllet 7 me 5 ne favor te se majtes, LSI merr nje deputet

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Korca mbyllet 7 me 5 ne favor te se majtes, LSI merr nje deputet

Qarku i Korçës së bashku me Dibrën dhe Kukësin, ishin zonat e para që përfunduan procesin e numërimit dy ditë pas zgjedhjeve të përgjithshme të 23 qershorit. Ndryshe nga rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2009, në Korçë ndryshoi numri i mandateve në favor të koalicionit të majtë të udhëhequr nga Partia Socialiste. Shifrat përfundimtare tregojnë se koalicioni Aleanca për Shqipërinë Europiane ka marrë 7 mandate, ndërsa koalicioni Aleanca për Punësim Mirëqenie dhe Integrim ka mundur të sigurojë 5 mandate. Brenda koalicionit të majtë një prej mandateve i shkon Lëvizjes Socialiste për Integrim e cila është shfaqur forca e tretë politike në qarkun e Korçës me një diferencë të dukshme votash nga partitë e tjera të koalicionit të djathtë. KQZ raporton se në rang qarku Partia Socialiste ka siguruar 63 mijë e 986 vota ndërsa Partia Demokratike ka marrë 47 mijë e 340 vota.

Diferenca shkon në rreth 16 mijë vota, por duke i shtuar edhe sasinë prej 15 mijë e 553 vota të grumbulluara nga Lëvizja Socialiste për Integrim diferenca mes dy koalicioneve është e dukshme në favor të së majtës. Por megjithë diferencën prej më shumë se 30 mijë votash në favor të së majtës, koalicioni i udhëhequr nga Partia Socialiste nuk arriti të merrte dot mandatin e tetë në qarkun e Korçës, duke e mbyllur rezultatin 7 me 5 për koalicionin e majtë ASHE. Sipas këtij rezultati emrat e deputetëve të rinj për qarkun e Korçës nga Partia Socialiste do të jenë: Bashkim Fino, Arta Dade, Olta Xhaçka, Ilirian Pendavinji, Ilir Xhakolli, Ylli Petraj (Ziçishti) dhe Pirro Kapurani për Lëvizjen Socialiste për Integrim. Ndërsa deputetët e Partisë Demokratike për këtë qark sipas të dhënave përfundimtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të jenë: Ridvan Bode, Elena Qirici, Edmond Spaho, Fatmir Mediu (kreu i PR-së që është në listën e PD-së) dhe Gjergji Papa.

Të dhënat e KQZ-së gjithashtu tregojnë se epërsia e të majtës në qarkun e Korçës vërehet thuajse në të gjitha rrethet, përfshi edhe Devollin, vendlindjen e ministrit të Financave, Ridvan Bode, i cili kryesonte listën e Partisë Demokratike në Korçë. Të dhënat e KQZ-së tregojnë se në rrethin e Devollit që përfshin qytetin e Bilishtit dhe zonat përreth Partia Socialiste ka marrë 8 mijë e 200 e 12 vota kundrejt 8 mijë e 100 e 31 vota. Ndërsa LSI ka marrë 1265 vota kundrejt 925 votave që kanë marrë aleatët e Partisë Demokratike, PR dhe PDIU. Në qarkun e Korçës Partia Demokratike ka humbur një mandate në krahasim me zgjedhjet e vitit 2009 edhe pse numri i votave të së majtës ishte ndjeshëm më i madh se koalicioni i udhëhequr nga PD.

Korçë, mbi 2 mijë fletë votimi të pavlefshme

Qarku i Korçës ka patur një numër të konsiderueshëm zgjedhësish, plot 273 mijë e 287 të ndarë në 447 qendra votimi në rrethet Korçë, Devoll, Ersekë dhe Pogradec. Por nga zgjedhësit e regjistruar, kanë votuar 149 mijë e 546 persona ose 54.72 për qind, pjesëmarrje kjo që është konsideruar e kënaqshme në raport me zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009. KQZ thotë se kanë ngelur plotë 103 mijë e 360 fletë të pa përdorura në qarkun e Korçës, ndërsa në kutitë e votimit janë gjendur dy fletë më pak nga sa kanë votuar. Gjithashtu se gjatë procesit zgjedhor dhe atij të numërimit kanë rezultuar 707 fletë votimi të dëmtuara, të cilat nuk janë llogaritur si pjesë e rezultatit përfundimtar për këtë qark. Pas numërimit të të gjitha votave Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve i kanë përcjellë informacionin KQZ-së se në kutitë e votimit janë gjendur 2 mijë e 191 fletë votimi të pavlefshme, të cilat gjithashtu nuk përfshihen në rezultatin përfundimtar të këtij qarku. Pjesëmarrja e votuesve në qarkun e Korçës sipas KQZ-së është 54.72 për qind.

ASHE

Mandate 7

88 844 vota

APMI

Mandate 5

56 706 vota