Mërgjyshi: Gabimet nuk lejohen
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Apolonia e ka kaluar me sukses sfidën e radhës ndaj Turbinës duke i bërë një fillim të mbarë fazës së tretë.
Fierakët kanë bindur në lojën e tyre dhe kanë luajtur me kujdes.
Në një prononcim për gazetën, trajneri Artan Mërgjyshi u shpreh: "Ishim të ndërgjegjshëm se do të ishte një ndeshje e vështirë, siç do të jenë të gjitha në vazhdim. Por, skuadra u fut me besim për fitore në fushën e lojës dhe falë vendosmërisë e përkushtimit ia arriti të sigurojë tri pikët. Goli i parë e çliroi skuadrën, ndërsa i dyti na dha qetësinë. Morëm një fitore të bukur e plotësisht të merituar.
Tri pikë të vlefshme që na mbajnë në luftë për vendin e parë në grup. Ekipet rivale kanë punën e tyre, ndërsa ne punën tonë. Janë edhe tetë finale në vazhdim, të cilat duhet që t'i marrim me radhë dhe të ruajmë këtë ritëm dhe vazhdimësi të suksesshme.
Nuk është momenti dhe koha e duhur për ta festuar fitoren e radhës, pasi na duhet të mendojmë për takimin që na pret në transfertë ndaj Butrintit. Gara është e hapur dhe duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Në këtë fazë të dytë nuk ka vend për gabime dhe eufori", u shpreh trajneri Mërgjyshi në prononcimin e tij.
Përgatiti: Mikel Mbriçaj