e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Meha prane Bundesliges 1 dhe 'thumbon' Mavrajn

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Meha prane Bundesliges 1 dhe 'thumbon' Mavrajn

Alban Meha është shumë pranë Bundesligës 1 me Paderbornin e tij. Pas fitores 2-0 ndaj Sandhauzenit javën e shkuar, Paderborni ka kaluar në vend të dytë me 56 pikë, dy më shumë sesa Grojter Fyrthi i Mërgim Mavrajt.

Dy javë nga fundi i këtij sezoni, kjo skuadër është pranë ngjitjes në elitën e futbollit gjerman (sipas formatit ngjiten dy skuadrat që renditen në dy vendet e para, pra Këlni dhe Paderborni, aktualisht, ndërsa ekipi që renditet në vend të tretë bën një ndeshje “play-off”-i me atë që do të renditet në vend të 16-të në Bundesligën e Parë). Dhe, për t’ia arritur këtij qëllimi, do të duhet që skuadra e Mehës të mos lërë pikë në dy takimet e fundit ndaj Erzgebirge Aue dhe Alen, përballje këto teorikisht më se të kalueshme, kjo nisur edhe nga kapaciteti i kundërshtarëve. I këtij mendimi është edhe vetë Meha. Në një prononcim për mediat gjermane, mesfushori i Kombëtare shqiptare ka theksuar se Paderborni nuk do të bëjë gabimin e Grojter Fyrthit dhe, pavarësisht se te këta të fundit shpresohet ende, Meha thekson se Paderborni do t’i fitojë të dyja ndeshjet e fundit.

“Nuk ke nevojë të bësh shumë llogari, neve na duhet t’i fitojmë të dyja takimet që na kanë mbetur për t’u ngjitur në Bundesligën e parë. Nuk kemi pse të mendojmë për ata që vijnë pas nesh (Grojter Fyrthi i Mavrajt), por duhet të mundim Aue dhe Alen, pa treguar shumë eufori, pasi nuk duhet të gabojmë si në takimin me Fortuna Dysledorfin (Paderborni humbi 1-2 në fushën e vet para tre javësh)”, – ka pohuar Meha. Mesfushori i Kombëtares shqiptare ka shënuar 11 gola këtë sezon, nga të cilët tetë me goditje dënimi, duke qenë golashënuesi i dytë më i mirë te kjo skuadër.