Meha: Nje gol te tille e peson edhe Nojer
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Karriera – Në tre sezonet e para me Paderborn, Meha ka luajtur 84 ndeshje në Bundesligën 2, duke shënuar 23 gola. Në këtë edicion në Bundesligë, ai regjistron 12 ndeshje të luajtura dhe 3 gola të shënuar
Alban Meha i ka hedhur dorashkën e sfidës portierit Kampion Bote, Manuel Nojer. Mesfushori shqiptar i Paderborn do të luajë në fundjavën e ardhshme kundër Bajern Mynih në Bundesligë dhe duket se i ka vënë objektiv vetes të shënojë edhe kundër portierit i cili aktualisht cilësohet si më i miri në botë dhe ishte një nga finalistët e “Topit të Artë”. Kuptohet që Meha synon ta bëjë një gjë të tillë nëpërmjet goditjeve të dënimit, specialitetit të tij që ka filluar të krijojë “viktima” edhe në Bundesligë, pasi kishte bërë një gjë të ngjashme për tre vite radhazi në Bundesligën 2.
Meha këmbëngul se sa herë e dërgon topin në rrjetë, nuk është çështje fati apo gabim i portierit, thjesht një teknikë që ai e ka perfeksionuar me stërvitje të vazhdueshme. “Pas çdo seance stërvitore praktikoj për 15 minuta këtë teknikë”, ka shpjeguar Meha për “Kicker” pas suksesit 2-1 ndaj Hanover, të arritur pikërisht falë goditjes së dënimit nga 25 metra distancë të mesfushorit shqiptar. “Mua praktikisht më duhet vetëm të gjej kuadratin, pasi topi është gjithmonë në lëvizje, bëhet e vështirë për këdo ta ndalë. Gabim i portierit? Ishte një goditje e fortë dhe me ndryshimin e drejtimit, ishte e vështirë për Zieler të ndalonte me lehtësi gjuajtjen”.
Ndaj Meha është i bindur se me një goditje të tillë mund të mposhtë edhe Manuel Nojer, portierin e Bajern Mynih që viziton stadiumin e Paderborn në fundjavë. “Manuel Nojer ka mbrojtur kundër aq shumë goditjeve standarde në portën e tij sa nuk mund të them nëse është ndonjëherë i frikësuar. Por nëse topi shkon drejt kuadratit në mënyrë aq të rrezikshme, një i tillë mund të përfundojë edhe në rrjetën e tij. E dimë që nuk jemi favoritë, por do të provojmë gjithçka edhe kundër gjigantëve”, ishte premtimi i mesfushorit shqiptar, i cili gjatë kësaj jave duket se do të përgatitet më me zell për takimin e radhës, falë kësaj sfide shumë të veçantë personale që ka nisur.
Aktivizimi i tij nuk duket më në dyshim, pasi Meha ka lënë pas çdo problem fizik që e kishte penalizuar në pjesën e parë të sezonit dhe që e kishte shqetësuar edhe në fazën përgatitore të klubit. “Për 2-3 javë isha në gjendje të stërvitesha rregullisht, më në fund nuk kisha më dhimbje. U konfirmua edhe një herë se thjesht kisha nevojë për një përgatitje të mirë fizike për të dhënë maksimumin tim”, tha futbollisti i cili vitin e kaluar i është nënshtruar një operacioni në menisk duke qëndruar për tre muaj pushim. Me 3 gola të shënuar në 12 ndeshje, Meha ka arritur të ndihmojë skuadrën që të largohet nga fundi i klasifikimit të Bundesligës, pasi mbijetesa është objektivi që i ka vënë vetes klubi në këtë sezon. “Kjo ishte një fitore shumë e rëndësishme jashtë fushe për ne. Duhej të shënonim dhe ia arritëm. Nuk ka shumë për të festuar, pasi sezoni është i gjatë. Por treguam se dimë të luajmë futboll”, ishin fjalët e Mehës.