e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Me parate e dy rumuneve qe i shfrytezoi, bleu 7 apartamente dhe 1 lokal

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Me parate e dy rumuneve qe i shfrytezoi, bleu 7 apartamente dhe 1 lokal
Vasil Bajraktari i njohur edhe me emrin Vladimir, u dënua 8 vjet 2007 se trafikoi dhe më pas i detyroi të prostituojnë në rrugët e Italisë dy shtetase rumune, parat e të cilave i investoi në Shqipëri

Flamur Vezaj

Me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, togat e zeza i bllokuan të gjitha pasuritë që ndodhen në Shqipëri në emër të të dënuarit me 8 vite burg për “shfrytëzim prostitucioni” në Itali, shtetasit Vasil Bajraktari i njohur edhe me emrin Vladimir. Kjo masë sigurie u kërkua në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda nga prokurori Besnik Muçi, i cili bazuar në ligjin “Antimafia” vendosi sekuestrimin e të gjithë pasurisë së ngritur nga i dënuari dhe të afërmit e tyre pas vitit 2000. “Me qëllim ruajtjen e këtyre pasurive, nga humbja ose tjetërsimi, pasi ekziston një rrezik real dhe potencial që kjo pasuri të tjetërsohet apo të humbasë, është e nevojshme vendosja e masës së sekuestrimit”, – thuhet në vendimin e togave të zeza.

Sekuestrimi

Sipas këtij vendimi, familjes Bajraktari i janë bllokuar 8 llogari bankare në shuma të ndryshme, lekë, dollarë amerikane dhe euro, që sipas një përllogaritje të thjeshtë të konvertuar në euro kapin një vlerë prej rreth 180 mijë euro në total. I janë bllokuar 7 apartamente në Tiranë, Durrës dhe Lushnje me sipërfaqe totale rreth 770 metër katror, një lokal me sipërfaqe 750 metër katror dhe një garazh. Të gjithë këto prona të patundshme, sipas deklaratës së deklaruar gjatë blerjes së tyre, kapin vlerën e rreth 34 milion lekë të reja. Përveç këtyre pronave, Gjykata ka urdhëruar bllokimin edhe të tre makinave të ndryshme, që figurojnë të regjistruara në emër të të dënuarit Bajraktari dhe pjesëtarëve të ngushtë të familjes së tij. E gjithë kjo pasuri, sipas vendimit të Gjykatës, është blerë gjatë vitit 2000 dhe më pas, kohë kjo që korrespondon me trafikun dhe shfrytëzimin për prostitucion të dy femrave rumune. Mësohet se ky vendim është apeluar nga familja e të dënuarit, çka pritet në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda të paraqesin provat materiale, që provojnë të kundërtën e pretendimeve të prokurorisë për lirimin e pasurisë.

Dënimet

Nga ana tjetër, sipas vendimit të dënimit të Bajraktarit, ky i fundit është dënuar në Itali, pasi në muajin gusht të 2000-s ka organizuar trafikimin nga Rumania në Mali të Zi, në Shqipëri e më pas në Torino të Italisë shtetaset rumune J.Bizas dhe J.Garbah. “Më pas këto shtetase janë keqtrajtuar duke u detyruar të ushtrojnë prostitucion dhe të gjitha fitimet janë marrë nga i dënuari dhe bashkëpunëtorët e tij shqiptar dhe një femër ruse, që rezultojnë të dënuar në Itali”, – thuhet në vendimin e sekuestrimit. Sipas njohjeve të dy vendimeve të Gjykatës së Apelit në Torino, atë të 2003 dhe më pas 2007, Bajraktari është dënuar për “Shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese”, çka në Shqipëri i janë konvertuar të dy dënimet në një dënim të vetëm prej 8 viteve heqje lirie.

SEKUESTRIMI

8 llogari bankare me vlerë totale rreth 180 mijë euro
7 apartamente banimi në Tiranë, Durrës dhe Lushnje me sipërfaqe totale rreth 770 m2
1 lokal në Tiranë me sipërfaqe 750 m2 dhe një garazh
3 makina të ndryshme