e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

DASH, Shqiperia dhe Kosova burim i trafikut te prostitucionit

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
DASH, Shqiperia dhe Kosova burim i trafikut te prostitucionit
Shqipëria është kryesisht një vend burimi ku burra, gra dhe fëmijë i nënshtrohen trafikimit për seks dhe punë të detyruar, duke përfshirë detyrimin e fëmijëve për të lypur. Viktimat shqiptare janë objekt i kushteve të punës së detyruar dhe trafikimit për seks në Greqi, Itali, Maqedoni, Kosovë, Serbi dhe kudo në Evropën Perëndimore. Ndërkohë që qeveria shqiptare, megjithëse po bën përpjekje, nuk u është përmbajtur plotësisht me standardet minimale për eliminimin e trafikut.

Kështu thuhet në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit mbi Trafikimin e Personave për vitin 2012. Raporti është prezantuar nga Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton dhe në të janë bërë vlerësime për përpjekjet e qeverive kudo në botë për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore.

Sipas raportit, Shqipëria vazhdon të jetë vend i klasifikuar në shkallën e dytë për sa i përket trafikimit të qenieve njerëzore.

Në klasifikimin e Departamentit të Shtetit janë gjithsej katër shkallë, ku shkalla e parë përfshin vendet që i përmbahen plotësisht standardeve minimale për eliminimin e trafikut.

Më tej në raport thuhet se autoritetet kanë deklaruar se gjatë vitit në Shqipëri kanë gjetur viktima trafikimi nga Greqia dhe Ukraina. Fëmijët janë shfrytëzuar për seks komercial, lypje të detyruar dhe kriminalitet të detyruar, si vjedhje dhe shpërndarje droge.

Edhe vajzat i janë nënshtruar prostitucionit ose punës së detyruar pas martesave me detyrim. Ka prova, thuhet në raport, se burra shqiptarë i janë nënshtruar punës së detyruar në bujqësi në Greqi dhe në vende të tjera fqinje. Raporti rekomandon që Shqipëria duhet të vërë në zbatim procedura të reja standarde për identifikimin e viktimave, si dhe të shtojë fondet për organizatat joqeveritare që merren me ndihmën për viktimat.

Ai rekomandon gjithashtu që të merren masa për vazhdimin e programit për mbrojtjen e dëshmitarëve, si dhe të hetojë në mënyrë aktive rreth zyrtarëve që mund të kenë gisht në trafikimin e qenieve njerëzore.

Në pjesën kushtuar Kosovës, raporti shprehet se vendi është burim, destinacion, dhe ndoshta vend tranzit për gratë dhe fëmijët që janë viktima të trafikimit për seks, dhe për fëmijët që i nënshtrohen lypjes së detyruar. Raporti thotë se qeveria e Kosovës po bën përpjekje domethënëse për të përmbushur plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit, por në të veçohet gjithashtu fakti se pavarësisht njoftimeve mbi raste bashkëpunimi në trafikim nga ana e punonjësve qeveritarë, asnjë zyrtar nuk është dënuar për këtë vepër penale.

Shumica e viktimave të trafikimit seksual të shfrytëzuara në vend, janë qytetare femra të Kosovës. Fëmijë nga Kosova dhe vendet fqinje shfrytëzohen për lypje të detyruar brenda territorit të Kosovës. Pjesa më e madhe e viktimave të huaja të prostitucionit të detyruar – vazhdon vlerësimin DASH – janë gra të reja nga Evropa Lindore, duke përfshirë Moldavinë, Shqipërinë, Poloninë dhe Serbinë. Gra dhe fëmijë kosovarë i nënshtrohen prostitucionit të detyruar, martesave shfrytëzuese, dhe punës së detyruar në të gjithë Evropën. Raporti citon policinë e Kosovës për të përmendur se trafikantët shfrytëzojnë më rrallë viktimat e trafikimit të seksit në bare dhe kafene, duke u mbështetur kryesisht tek banesat private.

Në raport rekomandohet që Kosova të bëjë përpjekje më të fuqishme për të ndjekur penalisht, fajësuar dhe dënuar autorët e trafikimit për seks dhe për punë, duke përfshirë zyrtarët e përfshirë në trafikim; të rrisë trajnimin specifik për trafikimin të prokurorëve dhe gjyqësorit, të sigurojë që mbrojtja e punës sociale për viktimat e trafikimit të jetë plotësisht e financuar; duke kërkuar gjithashtu që Kosova të zbatojë Planin Strategjik dhe të Veprimit Kombëtar kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore për vitet 2011-2014; të shtojë hetimet e veprave penale të punës së detyruar si dhe të rrisë rastet e zbulimit dhe të mbrojtjes së viktimave të lypjes së detyruar në Kosovë.