Me Perisiçin kapim Champions-in
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Havier Zaneti foli dje në emër të In terit dhe i dha besim ekipit për të ardhmen duke vlerësuar edhe cilësitë e Ivan Perisiçit.
Gjatë një eventi që u mbajt në Forte dei Marmi ku Zaneti u shoqërua nga këngëtari i njohur Andrea Boçeli (motivi i ceremonisë ishte promovimi i finales së Ligës së Kampioneve që do të mbahet këtë vit në "San Siro"), argjentinasi komentoi disa tema në lidhje me skuadrën që përfaqëson prej më shumë se 20 vitesh.
Vendi i tretë
Siç dihet, objektivi i fundit që i ka mbetur Interit të Roberto Mançinit është vendi i tretë. Pozicion ky që do t'u lejonte zikaltërve të merrnin pjesë në turin e fundit eliminator të sezonit të ardhshëm të Ligës së Kampioneve.
"Jam shumë optimist pasi deri më tani kemi parë Interin të luajë mirë dhe më pak mirë. Gjatë këtij sezoni kemi bërë një start ideal, por më pas u tkurrëm shumë duke humbur shumë terren dhe lënë rrugës pikë të vlefshme. Mendoj se kemi gjetur rrugën e drejtë dhe besoj se do të arrijmë vendin e tretë", tha Zaneti.
Lojtari "i rilindjes"
Pa dyshim lojtari që u ka dhënë një tjetër ngjyrë zikaltërve ka qenë Ivan Perisiç. Kroati gjatë muajit mars ka shënuar 50% të golave që kishte realizuar që prej momentit që kishte mbërritur në Milano.
Për Zanetin, ky "shpërthim" i Perisiçit nuk ishte i papritur pasi, sipas argjentinasit, të gjithë lojtarët e huaj kanë nevojë për pak kohë që të ambientohen.
"Këtu në Itali të gjithë janë gati të të kritikojnë. Mendoj se Perisiç kishte nevojë për pak kohë që të ambientohej me futbollin që luhet në Serinë A. Nuk jam habitur aspak nga forma që ka treguar, pasi gjithnjë kam besuar tek ai.
Është një lojtar me shumë cilësi dhe karakter. Mendoj se ende nuk ka dhënë maksimumin e tij, prandaj pres edhe më shumë. Me Ivanin në fushë Interi mund të shkojë larg", ishin fjalët e zëvendëspresidentit të Interit.
Mbi merkaton
Në fund të prononcimit të tij, Zaneti sqaroi pozicionin e klubit mbi investimet në merkato. "Mendoj se gjatë verës do të bëjmë edhe ne lëvizjet tona.
Për momentin nuk mund të them asgjë më shumë, pasi duhet që të punojmë të qetë për të arritur objektivat tanë", tha argjentinasi.