e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

'Me Holanden shihni forcen e Gjermanise'

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
'Me Holanden shihni forcen e Gjermanise'
Tensioni 24 orë pas fitores me Portugalinë duket shumë më i zbehur te gjermanët. Objektivi i 3 pikëve u arrit bukur apo shëmtuar dhe kaq mjafton që Joakim Lëv të premtojë një Gjermani më argëtuese në sfidën me Holandën. 52-vjeçari ka kërkuar nga “pancerat” e tij që të bërë lojën e zakonshme ofensive kundër rivalëve, të cilët një tjetër rezultat negativ i shoqëruar me fitoren e Danimarkës, i nxjerr automatikisht jashtë Evropianit.

“Kjo fitore i jep skuadrës hovin e parë, rrit në maksimum moralin, por unë jam i ndërgjegjshëm se kemi ende punë për të bërë. Tani duhet të hyjmë në lojën tonë të zakonshme, sepse nuk ka më kohë për eksperimente. Nuk është kupa e botës, kur t’i ndeshesh me një skuadër të dobët në fillim dhe më pas ke shansin të korrigjohesh. Është si në Formula 1, duhet ta nisësh shpejt, pa kryer as xhiron e nxehmjes”, – shprehet Jogi. Në Kharkivë të mërkurën, rekordmenët e turneut kanë shansin të nxjerrin jashtë Evropianit një rival direkt si Holanda pas humbjes me Danimarkën.

Por, Lëv nuk i është gëzuar fort surprizës së nordikëve. Ai do të kishte preferuar një barazim, për të qenë i vetëm në krye dhe mos e bërë rezultatin e përballjes direkte deciziv për fatin e “tulipanëve”: “Do të kisha dashur që Holanda të barazonte. Tani ata janë me shpatulla pas murit dhe luajnë për jetë a vdekje kundër nesh. Gjithsesi, kjo ka për ta bërë ndeshjen më interesante. Do të shikoni spektakël”. Dikush pas Portugalisë tha se bavarezët ende nuk e kishin marrë veten nga shoku i finales së Champions-it, por ishasistenti i Jurgen Klinsmanit e sheh shumë të nevojshëm aktivizimin e Shvajnshtaigerit pikërisht për të kaluar ngërçin psikologjik. “Ishte shumë e rëndësishme që zv/kapiteni ynë të ishte në fushë. Gjatë ndeshjes së parë nuk i ndjeu më problemet fizike. Bashkë me Khedirën ishin të kudondodhur në mesfushë. E pashë të qetë pas ndeshjes”, – përfundoi Joakim Lëv.

KLOSE

Miroslav Klose nuk ka asnjë dyshim. Mahuel Nojer është lojtari më i rëndësishëm i Gjermanisë: “Nojer, pa dyshim është pika jonë më e fortë. Me të vërtetë që nuk u impenjua shumë në ndeshjen me Portugalinë, por në ato pak raste ishte në nivelin e duhur”.

BOATENG

Zherom Boateng e justifikoi besimin e Lëvit në krahun e djathtë. Mbrojtësi që Lëv ishte në mëdyshje për ta ulur në stol, pasi theu disiplinën, tha pas ndeshjes: “Skuadra e di se çfarë ka ndodhur në dhomën e hotelit me modelen Xhina Liza. Nuk ka asnjë çështje”.

PODOLSKI

Sulmuesi i Arsenalit vrapoi shumë ndaj Portugalisë, por i mungoi saktësia. Megjithatë, Lukas Podolski sheh vend për përmirësime: “Do të luajmë shumë më mirë me Holandën, edhe pse ata janë me shpatulla pas murit. Duhet të punojmë edhe pak që të rritemi”.

OZIL

“Gomez dhe Humels justifikuan besimin e trajnerit. Ishte fitore shumë e rëndësishme për moralin, por në fund ishim të sfilitur fizikisht. Sa mirë që Holanda vjen me gjithë këtë presion në ndeshjen e radhës. Do të luajmë shumë të qetë”, – tha mesfushori i Realit.