Mblidhet kombetarja, Franca dhe Italia, betejat e ardhshme
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Xhani de Biazi dhe ushtria kuqezi mblidhen sot për të filluar përgatitjet në kuadër të dy miqësoreve të radhës. Fillimisht më 14 nëntor në Rene ndaj Francës, ndërsa më tej Kombëtarja udhëton mbi Alpe për të zbritur në Genoa e për t’u përballur me axurët e Antonio Kontes. Me një ton optimist, tekniku De Biazi u shpreh i bindur se skuadra e tij do të arrijë rezultatet pozitive në dy miqësoret e luksit. “Të fitojmë ndaj Francës dhe Italisë për të harruar ndodhitë e Beogradit”, ishin fjalët e para të teknikut italian. Sipas tij, edhe pse Shqipëria në letër është më e vogël se “gjelat” dhe axurët”, “shqiponjat” po të bashkohen fluturojnë më lart dhe mund të arrijnë fare mirë një rezultat pozitiv. “Jemi optimistë. Do të luajmë me një sulmues dhe nuk kemi pse të trembemi para madhësisë së skuadrave përballë. Ne mund t’ia dalim për të marrë një rezultat pozitiv”, – theksoi De Biazi.
Tekniku i Kombëtares shqiptare, Xhani de Biazi ka folur gjatë edhe për talentin shqiptar të Schalke 04, Donis Avdijaj. “Të hënën bisedova me babain e tij, do të flas gjithashtu edhe me Di Mateon për situatën e Avdijajt te Schalke”, – u shpreh De Biazi. “Nëse lojtari do të luajë për ekipin e parë të Schalkes, nuk do të ketë asnjë problem për t’u grumbulluar në Kombëtare”, – vijoi italiani. Strategu italian dhe 27 kuqezinjtë e grumbulluar prej tij do të paraqiten sot në rezidencën e përhershme në Durrës për të nisur përgatitjet. Ndër emrat e rinj që ka thirrur kësaj radhe De Biazi mund të përmendim Arlind Ajetin, si dhe të Tiranës, Erando Karabeci. Nga superliga shqiptare e futbollit kësaj radhe nuk do të jetë Alban Hoxha, për shkak të disa problemeve familjare, dhe në vend të tij do të jetë gardiani i portës bardheblu, Stiv Frashëri.
Sa i takon lojtarëve të superiores shqiptare, De Biazi ka përzgjedhur 6 lojtarë, 2 portierë, Orges Shehin, Skënderbeu dhe Frashërin. Në mbrojtje, Debatik Curri. Në mesfushë janë Emiljano Vila, i Partizanit, Ervin Bulku dhe Karabeci i Tiranës. Ndeshja e parë miqësore do të jetë ajo e 14 nëntorit përballë Francës në stadiumin e qytetit të Renes. Didier Dechamps, tekniku i gjelave parisienë ka premtuar se ndaj kuqezinjve do të luajë me formacionin më të mirë. Ai ka theksuar se skuadra shqiptare me në krye De Biazin është forcuar tejmase dhe ka një mentalitet prej fituesi. Ndryshe nga francezët, Italia pritet të prezantohet në këtë miqësore me lojtarë të rinj, si një mundësi e mirë që Konte ka për të parë axurët e vegjël në terren dhe për të kuptuar nëse ka hapësira për të integruar ndonjërin prej tyre mes më të mirëve. “Miqësoret janë gjithnjë të nevojshme, por kësaj radhe për mua vlen më shumë. Përballë do të kem një mikun tim, De Biazin, dhe them se do të jetë një përballje e mirë. Nuk do të marrë peshat e rënda, ka thënë Konte, por do provojë lojtarët e rinj”. Ndeshja mes axurëve dhe kuqezinjve do të zhvillohet më 18 nëntor në Genoa.
Lista e të grumbulluarve: Portier: Etrit Berisha; Orges Shehi dhe Stivi Frasheri/ Mbrojtës:
Debatik Curri; Mërgim Mavraj; Lorik Cana; Elseid Hysaj; Ansi Agolli; Andi Lila; Ermir Lenjani; Arlind Ajeti; Taulant Xhaka; Ergys Kaçe; Amir Abrashi; Burim Kukeli; Emiljano Vila; Herolind Shala; Odise Roshi; Armando Vajushi; Ledian Memushaj; Valdet Rama; Ervin Bulku; Erando Karabeci; Sulmues: Sokol Cikalleshi; Bekim Balaj; Hamdi Salihi.