e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Mavraj i kenaqet pikes: Mos ta bejme drame, s'humbem!

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Mavraj i kenaqet pikes: Mos ta bejme drame, s'humbem!
Barazimi ndaj Norvegjisë mund të konsiderohet si një rezultat i drejtë për atë që skuadrat dhanë gjatë 90 minutave. Ky është edhe mendimi i mbrojtësit kosovar, Mërgim Mavraj. Titullari i kuqezinjve, në prononcimin për “Panorama Sport” pas ndeshjes, u mundua të analizonte arsyet pse Shqipëria nuk arriti të fitonte. Mavraj e pranon gabimin që është bërë në vendosjen e skuadrës gjatë momentit të golit të barazimit.

Keqardhja e tij e vetme është që kundërshtari shënoi në një moment të papritur dhe, për më tepër, me një lojtar shtatshkurtër. “Pas një loje të mirë në pjesën e parë, kur dhe e kishim ndeshjen nën kontroll, mendoj se gabuam në 45 minutat e dyta. E vërteta është se norvegjezët na ushtruan shumë presion gjatë kësaj pjese dhe ne si ekip nuk e ruajtëm ritmin. Ata luajtën me topa të gjatë, ndërsa ne nuk arritëm ta qarkullonim topin. Na u vështirësua së tepërmi qarkullimi i topit, prandaj në pjesën e dytë për norvegjezët u bë më e lehtë. Duhet të pranojmë se gabuam atëherë kur nuk e priste njeri. Mendoj se ishte një gabim i vogël gjatë goditjes së këndit që, për hir të së vërtetës, na ndëshkoi. Të vjen keq, aq më tepër që ai gol erdhi nga lojtari ndoshta më i shkurtër i Norvegjisë. Nuk u vendosëm si duhet në atë moment, çka bëri që ta pësonim. Megjithatë, futbolli ky është dhe ne nuk duhet ta dramatizojmë këtë barazim”, – është shprehur fillimisht shtatlarti kosovar, i cili sakrifikoi gjatë ndeshjes, pasi pësoi një çarje në vetull.

Besimi “Jemi në të njëjtat pozita dhe duhet të shikojmë përpara. Më vjen keq që opinioni ndoshta po e përjeton sikur e humbëm këtë ndeshje. Po, është e vërtetë që mënyra se si u ndëshkuam, të bën të ndjesh keqardhje, por ne arritëm të merrnim pikë, nuk pësuam disfatë. Do të flisnim ndryshe nëse nuk do të merrnim pikë. OK, tifozët presin shumë, por jemi Shqipëria. Në futboll nuk ka asgjë perfekte. Mendoj se ky ishte një rezultat i drejtë për atë çka dhanë të dyja skuadrat në fushën e lojës. Në përgjithësi ishte një lojë e barabartë”, – shtoi Mavraj, i cili ka besim se Shqipëria do të bëjë më mirë në ndeshjet e radhës. I pyetur për fitoren e Sllovenisë në Islandë dhe faktin që Shqipëria nuk arriti të përfitonte sa duhej, kosovari deklaroi: “Kjo nuk do të thotë asgjë, ne morëm një pikë dhe duhet të shikojmë përpara”.