e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Goli i pare, Rama: Doja feste me fitore

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Goli i pare, Rama: Doja feste me fitore
Sulmuesi i Real Valadolidit në kampi onatin spanjoll, Valdet Rama, ka shënuar edhe golin e parë me Kombëtaren shqiptare, duke u kthyer kështu në idhullin e tifozerisë. Përveç golit të shënuar, i cili erdhi në një ndeshje mjaft të rëndësishme, Rama ka zhvilluar një lojë mjaft të mirë, duke marrë duartrokitjet e 17 mijë të pranishmëve në shkallët e stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”. Pas ndeshjes, për “SuperSport”, futbollisti u shpreh: “Kemi zhvilluar një lojë të suksesshme, për të cilën mendoj se deri diku ishte rezultative. Pësuam një gol, të cilin mendoj se mund ta kishim shmangur.

U ndëshkuam në fund të takimit dhe nuk kishim shumë kohë që të rikuperonim”, – ka thënë lojtari, i cili ishte një rrezik permanent për mbrojtjen nordike. Rama gjithashtu ka folur edhe për objektivat e Shqipërisë dhe për shpresat që ajo ka te kualifikimi për në kampionatin botëror. “Do të vazhdojmë të besojmë dhe të bëjmë më të mirën deri në fund të këtyre ndeshjeve, pasi kanë mbetur ende edhe katër. Për sa i përket golit që kam arritur të shënoj, mund të them se është një ndjenjë shumë e bukur që realizova në takimin e parë zyrtar me Kombëtaren shqiptare dhe një gjë e tillë më kënaq pa masë. Në momentin kur realizova, kalova një lojtar që kisha përballë dhe gjuajtja në drejtim të portës. Duke e pasur edhe fatin me vete, arrita ta dërgoja topin në rrjetë. Do të më pëlqente më shumë të festoja me një fitore, por që nuk ia arritëm”, – ka vijuar Rama.

Dedikimi – Golin e shënuar, dje ndaj Norvegjisë, Rama e  ka me një dedikim të veçantë. “Golin ia dedikoj Landi Ramës, djalit të xhaxhait, të cilin e dua shumë”, – ka thënë sulmuesi, i cili komenton edhe pozicionin në të cilin ndodhet Kombëtarja jonë në grup. “Jemi në vendin e dytë, që është një pozicion shumë i mirë. Duhet të japim maksimumin dhe të luftojmë fort në vazhdim. Ne nuk jemi dorëzuar dhe, ashtu si shokët e ekipit, mendoj se ëndrra vazhdon”, – ka vazhduar futbollisti, i cili në pjesën e dytë u largua disi nga porta e kundërshtarit. “U mundova të bëja maksimumin në çdo moment, megjithatë është e vërtetë që pjesën e dytë u largova disi nga zona e norvegjezëve. Nuk isha në lartësinë e pjesës së parë dhe mendoj se kjo ndikoi. Ndërkohë, dua të falënderoj edhe tifozët për mbështetjen që na kanë dhënë”, – ka përfunduar Rama.