Martini: Ja pse Vllaznia po zhgënjen në transfertë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ashtu si në pjesën e parë të sezonit, Vllaznia po vuan takimet në transfertë. Vetëm katër pikë në 11 ndeshje të zhvilluara jashtë fushës janë shumë pak për një skuadër që synon të jetë në pozita komode, duke mos rrezikuar rënien.
Dje, në një bisedë për "Panorama Sport", ish-trajneri i Vllaznisë, Edi Martini, ka analizuar problematikën, duke theksuar se skuadra vuan më shumë në fazën mbrojtëse. "Mendoj se te Vllaznia nuk po shkojnë gjërat siç duhet në transfertë, pikërisht prej fazës mbrojtëse.
Kjo është më e dukshme, pasi ekipi nuk është në gjendje që në një fushë më të hapur të veprojë më shpejt në kryerjen e detyrave. Prandaj dhe Vllaznia e ka të vështirë në takimet në transfertë. Gjithçka sa vjen dhe vështirësohet, kështu që nëse gjërat nuk rregullohen në këtë drejtim, do ketë probleme", ka thënë fillimisht Martini.
Ndërsa i pyetur për deklaratën e trajnerit Armando Cungu, i cili theksoi pas ndeshjes në Vlorë se ekipit nuk i duhen balerina në fushë, por burra, Martini u shpreh: "Nuk mendoj se lojtarëve u ka munguar dëshira dhe shpirti i garës.
Ajo që mungon është forca për të reaguar, sidomos pasi pësojnë gola. Thjesht skuadra nuk ka forcë për t'iu përgjigjur kundërshtarit, por jo se ka pasur nga ana e lojtarëve neglizhencë. Vllaznia nuk arrin që të mbyllë me shpejtësi aksionet, edhe pse shoh që futbollistët po bëjnë maksimumin".
Në fund, përtej problemeve, Martini deklaroi i bindur se Vllaznia mbijeton në Superiore. "Humbja në Vlorë dhe, për më tepër fitorja e Bylisit në Laç, ka bërë që lufta për mbijetesë të jetë e fortë deri në fund. Megjithatë, kjo nuk më tremb dhe e them me plot gojën se Vllaznia me 100% do të mbetet në Superiore. Kam besim se situata do të ndryshojë për mirë edhe në ndeshjet në transfertë", përfundon ish-trajneri.