e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Marreveshja, pas 27 ditesh, minatoret i japin fund greves

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Marreveshja, pas 27 ditesh, minatoret i japin fund greves
(I përditësuar)-   Burime nga Bulqiza bëjnë të ditur se është arritur marrëveshja që minatorët të dalin nga greva. Pas 27 ditësh në thellësinë 1400 metra, më në fund, grevistët do të dalin në sipërfaqe, por ata kanë paralajmëruar se misioni nuk përfundon këtu me kaq. Greva do të zhvendoset diku tjetër.

Vetëm pak orë më parë, në Bulqizë mbërriti me helikopter dhe pronarja e ACR, Rohtraut Skatche-Depich.

Ditën e djeshme, situata u përkeqësua deri në orët e para të mbrëmjes, ndërsa mbërritën përfaqësuesit e zyrës së Përmbarimit, të cilët prisnin që policia të zbatojë vendimin e Gjykatës së Dibrës për nxjerrjen e minatorëve nga miniera.

Përkeqësohet gjendja në minierë, RENEA blindon Bulqizën

Tensionohet sërish situata pranë Minierës së Bulqizës ku minatorët po zhvillojnë grevën e urisë prej 26 ditësh. Disa dhjetëra forca policie i janë afruar galerive, në pritje për të zbatuar vendimin e Gjykatës së Dibrës për të nxjerrë minatorët nga greva e urisë.

Minatorët minojnë galerinë, FNSH rrethon minerën

 22:50

Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë i janë afruar hyrjes së minierës ndërsa kanë hasur në rezistencën e minatorëve dhe familjarëve të tyre të cilët ndodhen jashtë galerisë. Sipas informacioneve të fundit, përfaqësues të sindikatës po zhvillojnë një takim më drejtuesit e policisë para portës kryesorë të minierës. Vetë komandanti i FNSH, Shemsi Prençi, ndodhet në Bulqizë.

Policia ka marrë nën kontroll zyrat e kompanisë ACR dhe ka rrethuar malin. Ndërkohë, vendimi i komisionit të grevës pas takimit nuk janë bërë të ditura por minatorët shprehen të vendosur për të mos e ndërprerë grevën e cila ka hyrë në ditën e saj të 27. Policia rrugore ka bllokuar hyrje-daljet e automjeteve në qytetin e Bulqizës.

Më herët, kreu i sindikatës, Kol Nikollaj tha se minatorëve po u bëhet shantazh nga kompania ACR dhe policia ndërsa veprimet e tyre nuk janë aspak institucionale pasi minatorët nuk kanë marrë një vendim zyrtar nga Gjykata e Dibrës. E dërguara e Shekullit në Bulqizë njofton se situata në minierë është shumë e tensionuar. Mësohet se minatorët kanë vendosur tritol në hyrje të minierës dhe kane paralajmëruar se do ta shpërthejnë në rast ndërhyrje të policisë.

Ndërkohë në hyrje të Klosit është vënë re përqendrim i forcave të shumta të RENEA-s me mjete dhe armë. Është ky përqendrim që ka shkaktuar tensionin e minatorëve. Burime të policisë thonë se është planifikuar një ndërhyrje e dhunshme e këtyre forcave në galeri për të nxjerrë minatorët nga nëntoka.

Disa ore me pare punonjës të përmbarimit mbërritën në dyert e minierës së Bulqizës për të zbatuar vendimin e Gjykatës së Dibrës. Kjo e fundit vendosi që grevistët të dalin nga ambientet e galerisë. Dy ditë më parë, specialistë të Autoritetit Kombëtar të Burimeve Natyrore kërkuan që grevistët të dalin pasi qëndrimi i tyre 1400 metra nën tokë ka dëmtuar galerinë. Por hyrja e minierës në të cilën po zhvillohet greva prej 27 ditësh, mbrohet nga minatorë të tjerë dhe familjarë të tyre. Përmbaruesit mësohet të kenë hasur në përplasje me to, ndërsa kërkojnë nxjerrjen me forcë të grevistëve. Situata eshte shume e tensionuar ne keto momente, sidomos pas mberritjes se lajmit qe ka grumbullim dhe organizim te repartit Renea ne Klos.