e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Marko Rojs: Askush s'e ndal dot Bajernin

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Marko Rojs: Askush s'e ndal dot Bajernin

Mesfushori-sulmues i Borusias së Dortmundit, Marko Rojs, thotë se të gjithë kanë dhënë “dorëheqjen” nga titulli në Bundesligë për faktin se Bajerni i Mynihut janë të pandalshëm. Mbretërimi i kampionëve të Bundesligës duket në 13 pikët e qarta distancë nga vendi i dytë (Bajer Leverkusen), me një hendek akoma të mëtejshëm nga Dortmundi prej katër pikësh. Rojs pranon se skuadra e tij dhe të tjerët janë të pafuqishëm për ta ndaluar skuadrën e Pep Guardiolës. “Unë e kam thënë edhe më parë: nuk mund të bëjmë asgjë kundër faktit se Bajerni është duke fituar pothuajse çdo gjë, – pranoi Rojs. – Tani për tani mezi mund t’u gjesh edhe një pikë të dobët, ndaj është e vështirë për çdo kundërshtar. Kjo është veçanërisht rasti për ne, teksa ishim duke luftuar me lëndime dhe nuk mund t’i kompensojmë mungesat. Bajerni është duke luajtur mirë, por jeta vazhdon dhe ne do të përpiqemi t’i rivalizojmë me aq vështirësi, sa të jetë e mundur.”


Rojs pranoi se skuadra e tij është goditur veçanërisht nga lëndimet dhe kalendari i ngjeshur: “Unë mendoj se e kemi filluar mirë sezonin, kur i fituam pothuajse të gjitha ndeshjet tona. Pastaj nisi Liga e Kampioneve, ku mendoj se kemi garuar mirë deri tani, pasi kemi arritur në fazën e eliminimit direkt. Megjithatë, me ngjeshjen e kalendarit të ndeshjeve u shtuan edhe lëndimet. Mungesat ishin dicka e vështirë për t’u përballuar me to për shkak se shumë lojtarë të rëndësishëm nuk ishin të disponueshëm. Por unë mendoj se në aspektin e Kupës së Gjermanisë dhe “Champions League” e kemi përmbushur objektivin tonë deri tani. Natyrisht, jemi të vetëdijshëm se nuk kemi luajtur një sezon të mirë në Bundesliga.”


Rojs më herët pranoi se ikja e Mario Gëtzes te Bajerni i Mynihut verën e kaluar ishte një goditje, ndërsa zyrtarizimi i transferimit të Robert Levandovskit në “Allianz Arena” verën e këtij viti do ta “tkurrë” edhe më tepër cilësisht skuadrën e trajnerit Jurgen Klop. “Sigurisht, ky nuk është një lajm i mirë, në qoftë se dëgjoni se lojtarët më të mirë po largohen nga klubi, – tha Rojs. – Dy prej tyre ishin individualisht me të vërtetë të mirë për ne, por ky është futbolli. Ata ndoqën qëllime të ndryshme nga ne si klub, sepse menduan për karrierën e tyre. Gjithsesi, jeta vazhdon dhe ne shpresojmë se do të marrë disa lojtarë të rinj.”


24-vjeçari kishte një vlerësim maksimal për trajnerin Jurgen Klop: “Ai është një trajner tepër i madh, që ka qenë i suksesshëm edhe në këtë fazë të hershme të karrierës së tij. Klop ishte i suksesshëm me ne, si dhe dhe ka fituar disa tituj, – shtoi Rojs. – Ne fituam Bundesligën dy herë dhe kemi arritur në finalen e Ligës së Kampioneve, sikurse fituam Kupën e Gjermanisë. Unë mendoj se në Bundesligë mund të jetë shumë e vështirë për ta kapur Bajernin, por do të përpiqemi për të marrë diçka në kompeticionet e tjera këtë vit. Është e vështirë, por çdo gjë është e mundur.”