e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Maqedonasit fyejne kuqezinjte: Dhoma gazi per shqiptaret!

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Maqedonasit fyejne kuqezinjte: Dhoma gazi per shqiptaret!
Thirrjet ekstremiste të ultrasve maqedonas kanë irrituar futbollistët kuqezinj në fushën e blertë. Takimin mes Maqedonisë dhe Shqipërisë, që përfundoi me rezultatin final 0-0, që nga minuta e parë është përcjell me fyerje në baza nacionaliste të drejtuara popullit shqiptar dhe futbollistëve kuqezinj në fushën e blertë. Ndër brohoritjet e shumta ishin tifozët maqedonas të vetëquajtur ‘Mujmunë”, që nga fillimi i ndeshjes kanë lëshuar shumë thirrje antishqiptare:

“Shqiptar i vdekur është shqiptar i mirë”, “Dhoma gazi për shqiptarët”, “Lufta për çlirim” e shumë fjali të tjera janë përsëritur vazhdimisht nga publikut i pranishëm maqedonas në Prilep. Këto brohoritje kanë shqetësuar edhe futbollistët shqiptarë, që pas ndeshjes në Prilep janë shprehur të habitur me pritjen “e nxehtë” që iu është bërë.

Në stadiumin “Goce Dellçev” në Prilep, skuadrën kuqezi e kanë përkrahur rreth 100 tifozë shqiptarë nga Shkupi dhe Tetova. Këto thirrje skandaloze janë vërtet për t’u dënuar, pasi një ndeshje futbolli, për më tepër miqësore, s’mund dhe s’duhet të shoqërohet me thirrje të tilla ekstremiste nga grupime të ndryshme ultras me politika të ndryshme në pjesëmarrjet e tyre në stadiume.

Futbolli është një lojë që bashkon zemrat e tifozëve në të gjithë botën dhe pa dyshim këta njerëz nuk e zbukurojnë atmosferën, në të kundërtët, e bëjnë të mërzitshme dhe ofenduese për skuadrën mike, që në rastin konkret ishte Shqipëria.

Në Korçë nuk ndodhi kështu

Nëse në Prilep maqedonasit na kanë pritur më “këmbët e para”, në Korçë më 17 nëntor të 2010, në stadiumin “Skënderbeu” tifozeria kuqezi dhe ajo korçare nuk kanë lëshuar asnjë thirrje të tillë ofenduese ndaj kombëtares maqedonase. Në kërë rast, tifozët shqiptarë mbeten për t’u përshëndetur për kulturën e tyre sportive, pavarësisht ndonjë momenti të veçantë, kur edhe këta të fundit e kanë ngritur zërin në raste të tilla, por gjithnjë ndaj një fenomi antishqiptar.

Ndërkohë që rasti i maqedonasve është vërtet i pakuptimtë, pasi kombëtarja e tyre është pritur dhe përcjellë pas pasur incidente të tilla. Pa dyshim, institucionet më të larta të futbollit, FIFA dhe UEFA, mund t’i marrin në konsideratë ndodhitë e fundit në Prilep, kur thirrjet e ultrasve maqedonas kërkojnë “kokën e shqiptarëve”, jetë njerëzish, madje edhe me turtura të përmendura si “Dhoma gazi”, e të tjera.

Nuk është hera e parë

Ndeshja e djeshme nuk është “vitrina” e parë për tifozerinë maqedonase, e cila ka manifestuar edhe më parë sjellje dhe thirrje anti-shqiptare. Preçedentët na kthejnë vite më parë në të tre miqësoret që kemi luajtur.

E para në Tetovë, dhe tashmë 2 herë rradhazi në të njëjtin vend, Prilep, e cila njihet si qendra anti-shqiptare, duke mos pasur asnjë familje shqiptaro-maqedonase në këtë qytet. Në këtë incident, edhe Federata Shqiptare e Futbollit, me në krye presidentin Armand Duka nuk duhet të pajtohet dhe të informojë gjithçka tek institucionet më të larta futbollistike si FIFA dhe UEFA.

 Thirrjet e maqedonasve

“Shqiptar i mirë është vetëm shqiptari i vdekur.”

“Dhoma gazi për shqiptarët.”

“Lufta për çlirim.”

Elis Bakaj dëmtohet, dyshohet çarje ligamenti

Futbollisti i Shqipërisë, Elis Bakaj, është dëmtuar gjatë miqësores ndaj Maqedonisë dhe si pasojë është zëvendësuar në minutën e 35-të me Ahmed Januzin. Në momentin e parë pas asistëncës së mjekur Bulinger, i cili ka bërë shenjë për zëvendësim, Bakaj ka kundërshtuar, duke pasur egon për t’u rikthyer në fushën e blertë, por nuk ka zgjatur as 2 minuta dhe nr.19 është shoqëruar nga Cana jashtë vijave të fushës, duke çaluar me këmbën e djathtë.

Dyshohet për një çarje të ligamentit, i cili mund të kaloj edhe pa ndërhyrje kirurgjikale, por sot Bakaj do të kryejë rezonancën magnetike për të parë pjesën e brendshme të gjurit të tij. Stafi mjekësor i kuqezinjve e ka fashuar këmbën e futbollistit për të mos e përthyer gjatë lëvizjeve të tij në udhëtim. Sot do të mësohet shkalla e dëmtimit të 24-vjeçarit shqiptar, i cili më pas do të udhëtojë drejt Bukureshtit për t’u bashkuar me skuadrën e tij, Dinamo.

Skaner

Isli Hidi

Ka qenë një ndeshje me pak raste, e luftuar më tepër në mesfushë, por kur është dashur nevoja, Isli Hidi ka qenë i gatshëm si një rastë në pjesën e dytë, kur sulmuesi maqedonas doli i vetë përballë tij. “Gardiani” tiranas është në lartësinë e duhur për të mbrojtur kuadratin kuqezi.

Ansi Agolli

Ndryshe nga ndeshja me Azerbajxhanin, Ansi Agolli ka qenë më i sigurt në sfidën ndaj maqedonasve. I saktë në prapavijë, ndihmon sulmin dhe kroson saktësisht drejt sulmuesve. Ky është Agolli, që të gjithë jemi mësuar ta shikojmë me fanellën e përfaqësueses.

Admir Teli

Shkodrani është treguar tepër i saktë në prapavijën e Shqipërisë. Ndeshje pas ndeshjeje vazhdon të konfirmohet si titular, duke hedhur “rrënjë” në formacion. Performanca e tij nuk ndryshon, pavarësisht partnerit në qendërmbrojtje, që shpesheshherë ka ndryshuar.

Armend Dallku

Është treguar i saktë në ndërhyrjet e tij, si gjithnjë luftarak në topin e parë. Ndonjëherë edhe mund t’i kalojë caqet e ndërhyrjeve ndaj kundërshtarit, por duke parë natyrën e tij sportive, jemi mësuar me të tilla ndërhyrje nga ana e Armend Dallkut. Gjithsesi, kosovari nuk është në pozicionin e tij ideal.

Andi Lila

Mbrojtësi i Pas Janinës në kampionatin helen dhe i përfaqësueses së Shqipërisë ka një formë konstante me fanellën kuqezi. Edhe ndaj Maqedonisë ka treguar siguri në krahun e djathtë. Vazhdon të mbetet një alternativ universale e kombëtares, pasi siç dihet kavajasi luftarak nuk njeh pozicion në fushën e blertë.

Jahmir Hyka

Tepër aktiv në lojën e tij, mbase nga më të mirët në fushën e blertë për Shqipërinë. Tashmë Hyka po shfaqet edhe në rolin e fantazistit. I pozicionuar më në qendër të mesfushës, paksa nga e majta, shpeshherë nr.10 ka dhënë disa asiste për shokët e skuadrës.

Lorik Cana

Mbetet një lider në fushën e blertë për mënyrën se si i përjeton 90 minutat e ndeshjeve në ngjyrat kuqezi. Por edhe dje, ashtu si ndaj Azerbajxhanit, ka shfaqur moment sporadike pakujdesie. Por që cilësitë e tij s’mund vihen në diskutim. Mbetet mbase një lojtar i pazëvendësueshëm për kuqezinjtë.

Emiliano Vila

Mbase nuk ka bërë gjëmën me topin ndër këmbë, por nëse në këpucët e tij do të kishte një “micro-chip”, të gjithë do të shikonin se ky futbollist përshkon km të tëra në shërbim të skuadrës, duke mos u ndalur në asnjë moment. Emiliano Vila mund të quhet lojtari i trajnerit.

Odise Roshi

Një ditë jo e mirë për fierakun e Shqipërisë. Ndodh në futboll të jesh edhe jashtë forme. I zëvëndësuar në minutën e 56-të, Odise Roshi ka humbur edhe një rast në pjesën e parë, tepër flagrant për të kaluar Shqipërinë në avantazh. Nëse në performancat e tjera të gjithë e lavdëruan, dje s’mund ta bënin një gjë të tillë.

Elis Bakaj

Është aktivizuar rreth 35 minuta, por një dëmtim ka penalizuar qendrimin e tij në fushën e blertë. Mëkat, sepse Bakaj deri në ato minuta po dukej tepër aktiv, duke u vendosur në shërbim të skuadrës. Shpresojmë që dëmtimi i tij të mos jetë serioz dhe futbollisti i Dinamos së Bukureshtit të kthehet në fushë sa më shpejt.

Hamdi Salihi

Vazhdon të mos jetë ai “gjahtari” i tmerrshëm i portave kundërshtare, kjo si pasojë edhe e problemeve që po kalon me skuadrën e tij në Austri, Rapidi i Vjenës. Edhe përballë Maqedonisë shkodrani ka qenë në hije deri në momentin e zëvendësimit me Edmond Kapllanin.

U AKTIVIZUAN

Ahmed Januzi

Është aktivizuar në minutën e 35-të dhe deri kur la fushën në të 84-n, Januzi ka qenë totalisht i padukshëm në fushën e blertë. Mbase duke parë radhën pas shpinës së tij për një vend në sulmin kuqezi, kosovari duhet të tregojë diçka më shumë me ngjyrat kuqezi.

Gjergji Muzaka

Nuk ka treguar ndonjë gjë të veçantë, në një performancë krejtësisht normale, duke u hedhur në fushë në minutën e 56-të në vend të Roshit. Priteshin krosime nga krahu i djathtë, por që nuk erdhën as me aktivizimin e tij.

Edmond Kapllani

Sulmuesi kuqezi dha sinjale pozitive, edhe pse luajti shumë pak ndaj Azerbajxhanit. U aktivizua më shumë dje, por pa treguar vlerat e tij të vërteta. Si Salihi edhe Kapllani, në mungesë të Bogdanit, nuk e kanë kompensuar mungesën e shokut të tyre.

Gilman Lika

Sabjen Lilaj

Franc Veliu

Për vetë minutat e pakëta që u aktivizuan, vetëm ndonjë mrekulli mund t’i vinte në evidencë lojtarët në fjalë.