Mançini: I kisha llogaritur penalltitë, ja pse zgjodha Manajn
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Në momentin më të errët të saj, Interi tregon thonjtë dhe bën një ndeshje fantastike kundër Juventusit, në gjysmë- finalen e kthimit të Kupës së Italisë, për më shumë pasi kishin humbur 3-0 takimin në Torino.
Gjithsesi, edhe pse zikaltrit arritën të zerojnë disavantazhin, në fund iu dorëzuan penalltive, ndonëse trajneri Roverto Mançini është i kënaqur me skuadrën e tij.
Mançini, Interi dështoi në mundësinë e kualifikimit për në finalen e Kupës, por ky reagim është shumë shpresëdhënës në pritje të kampionatit. I kënaqur?
Dua t'i bëj komplimentet skuadrës sime, ndonëse në të njëjtën kohë më vjen shumë keq për futbollistët e mi, të cilët meritonin të shkonin në finale.
Një ndeshje e madhe, e luajtur pikërisht përballë Juventusit, atyre që ju hapën jo pak probleme...
Jemi të kënaqur me atë çfarë bëmë në fushë, por duhet të pranojmë edhe verdiktin final të ndeshjes. Profesioni ynë i njeh këto disfata.
Përveç formacionit, çfarë ndryshoi nga e diela deri të mërkurën?
Ajo e kampionatit ishte një ndeshje shumë e ekuilibruar, sepse Juvja, përveç traversës së Hernanesit, nuk pati më raste. Por ata shfrytëzuan gabimin tonë në mbrojtje dhe morën 3 pikët. Ndërsa në Kupë pashë shpirtin e vërtetë të kësaj skuadre, atë që duhet të kemi gjithmonë.
Në sekondat e fundit të kohës shtesë mund të kishit hedhur në fushë Handanoviçin, mjeshtrin e penalltive. Mos ndoshta zgjedhja e Manajt erdhi si rrjedhojë e dëmtimit të Ederit?
Zgjodha Manajn sepse ishte shumë i freskët. Pastaj, Karrizo bëri një pritje gjigante në sekondat e fundit.
Çfarë mendoni për kritikat e marra në periudhën e fundit?
Unë nuk jam nga ata tipa që kushtëzohem nga dikush. Kemi humbur pikë rrugës, prandaj kritikat qëndrojnë. Pas ndeshjes me Juventusin treguam se cilësitë nuk na mungojnë, por të shohim nëse do të jemi kaq të zotë sa sot (dje) deri në fund të kampionatit.
Ku i ndoqët penalltitë?
Preferova të mos i shoh, ndonëse penalltitë i kisha llogaritur. Madje, nëse doni ta dini, goditësi i pestë do të kishte qenë Ederi.
Përgatiti: JETON STAMOLLA