Magani 'harron' Vllaznine: Radhen e ka Apolonia
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Trajneri Gugash Magani rikthehet të flasë në medie për ndeshjen e Kupës së Shqipërisë, ku Tirana do të përballet sot në orën 14:00 kundër Apolonisë. Çerekfinalja e parë e këtij çifti do të luhet në stadiumin e Krujës, pasi bardheblutë nuk mund të zhvillojnë për momentin ndeshje në kryeqytet. Një sfidë kjo, që nga ana e trajnerit Magani shihet si delikate dhe e rëndësishme për vijimësinë e Tiranës, jo vetëm në këtë kompeticion, por edhe në Superligë, pasi një fitore e mundshme sot, do t’i dërgonte 24 herë kampionët e vendit edhe më të qetë drejt Shkodrës, ku në fundjavë do të përballen ndaj Vllaznisë për kampionat.
-Fitoret e fundit duket se kanë ndikuar pozitivisht edhe në moralin e skuadrës, çka pasqyrohet edhe në seancat stërvitore…
-E rëndësishme është fryma e bashkëpunimit brenda grupit, e cila kohët e fundit ka arritur në nivelin e kërkuar. Përpara disa kohësh nuk ka qenë kështu. Lojtarët tashmë janë njohur më mirë me njëri-tjetrin dhe të gjithë janë gati për të arritur synimet e klubit për këtë sezon.
-Sa e rëndësishme është ndeshja e Kupës ndaj Apolonisë?
-Shumë. Këtë e tregon edhe fakti se të gatshëm do të jenë lojtarët kryesorë të skuadrës, pa përjashtuar edhe ata që kanë pasur pa minuta në dispozicion gjatë kësaj periudhe. E rëndësishme është që grupi i futbollistëve është i plotë, me përjashtim të Bulkut që është i dëmtuar. Lajmi i mirë është rikthimi i Ristevskit, i cili do të jetë në fushë për ndeshjen e nesërme (sotme).
-Mendoni se do të ndikojnë në këtë sfidë rezultatet e takimeve të mëparshme ndaj Apolonisë që janë fituar nga ana e Tiranës?
-Jo. Edhe pse kemi dalë triumfues ndaj ekipit fierak dhe me rezultate të thella, mund të them se e kemi pasur të vështirë. E vlerësoj shumë këtë ekip dhe kjo gjë duhet të na shërbejë si motivim për të hedhur që në ndeshjen e parë, një hap të sigurt drejt kualifikimit.
-Ia keni transmetuar këto fjalë edhe lojtarëve, apo vëmendja është më tepër te Vllaznia në fundjavë?
-E kam thënë shumë herë që nuk ka ndeshje të lehta, ndaj edhe Apolonia nuk ka pse të bëjë përjashtim nga ky perifrazim. Për sa i përket sfidës së kampionatit, atë ndaj Vllaznisë, e them me bindje se nuk e mendoj për momentin, sepse para saj është përballja për Kupë dhe duhet të përqendrohemi maksimalisht për ta fituar atë.
-Pra nuk do të ketë nënvlerësim ndaj Apolonisë, duke qenë se nuk është ndeshje kampionati?
-Absolutisht që nuk e mendojmë këtë gjë. Nuk mund të nënvlerësojmë asnjë kundërshtar, qoftë edhe në një ndeshje Kupe. Përveç fitimit të Superligës, Tirana ka objektiv edhe triumfin në Kupën e Shqipërisë. Gjithashtu, nëse do të nënvlerësojmë nesër (sot) ndaj Apolonisë, jam i bindur se do të na mungojë impenjimi edhe ndaj Vllaznisë në fundjavë.
-A keni një koment edhe për skeptikët që mendojnë se pavarësisht rezultateve, Tirana çalon në lojë?
-Dua ta përmbledh me pak, sepse nuk duam t’i shmangemi kritikave. Në filozofinë time si trajner, nuk e mendoj dot skuadrën që drejtoj të qëndrojë në mbrojtje, pasi humb spektakli në fushë, çka unë nuk e dëshiroj asnjëherë. Edhe ndaj Flamurtarit patëm shumë shanse për shënim, duke prodhuar lojë. Nëse kërkon të sulmosh, sigurisht që do vihesh në vështirësi edhe në mbrojtje nga ana e kundërshtarit.
-Sa u shërben skuadrës ndërrimi i skemave të shpeshta gjatë lojës?
-Duke pasur në skuadër lojtarë cilësorë dhe fleksibël, mendoj se ndërrimi dhe përshtatja e tyre në pozicione të tjera krijon hapësira dhe mundësi për të kapur në befasi kundërshtarin. Personalisht nuk e shoh si disavantazh këtë gjë.