e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Lushtaku: Meritë e të gjithëve, dua të sjellim Kupën në Vlorë

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Lushtaku: Meritë e të gjithëve, dua të sjellim Kupën në Vlorë

Kushtrim Lushtaku ka merita për kualifikimin e Flamurtarit në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë. Kosovari rikthehet pas një dëmtimi të gjatë, ndërsa ndihet më në formë se kurrë.lushtaku Në një intervistë të dhënë dje për "Panorama Sport", Lushtaku flet gjerë e gjatë për futbollin në fushë dhe jashtë tij, ndërsa shpreson që Kupa e Shqipërisë këtë vit të vijë në Vlorë.

"Për momentin synojmë fitoren e radhës në kampionat përballë Vllaznisë. Nuk mendojmë për shortin apo Kupën. Nga sot (dje) po mendojmë për kampionatin. Duhet që t'i marrim ndeshjet me radhë. Natyrisht që jemi të lumtur që kaluam turin në Kupën e Shqipërisë", shprehet Lushtaku fillimisht, që më pas kërkon të tregohet modest dhe të shpërndajë të gjithë meritat e kualifikimit.

"Meritë ka i gjithë ekipi, por edhe stafi teknik. Pa marrë parasysh se kush e bëri golin, unë e ndiej veten të lumtur. Në fund të fundit, e kam për detyrë dhe nuk bëra gjë tjetër veç saj. Sa i përket golit, ia dedikoj djalit të motrës sime, Elionit, pasi para dy ditësh bëri një operacion dhe doli me sukses", vijon futbollisti vlonjat në deklaratën e tij.

Më tej, ai deklaron se ka dëshirë që të mbyllë me trofe këtë sezon me skuadrën vlonjate, si dhe flet për qytetin dhe miqtë. "Kam besim te ky grup lojtarësh dhe dua të sjellim Kupën e Shqipërisë në Vlorë. Nuk bëhet fjalë të biem nga kategoria.

Jemi në një situatë të vështirë, por kam besim se do të bëjmë më të mirën, pasi në ekip nuk na mungojnë kualitet. Sa i përket ndeshjes së radhës, Vllaznia është një ekip që nuk duhet nënvlerësuar, pasi ka bërë ndeshje të mira. Por ne duhet të mendojmë vetëm për të fituar", ka përfunduar Lushtaku.